Familja e madhe tregon rutinën e vështirë

Shumë prej nesh kanë filluar të lodhen nga masat e rrepta të karantinës që na kanë mbajtur të mbyllur brenda shtëpive tona për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por imagjinoni pak si do të ishte karantina juaj nëse do të kishit në shtëpi 30 fëmije.

Ky çift nga Kosta Rika ka gjashtë javë i mbyllur në shtëpi me 30 fëmijët e tyre dhe thonë se është një eksperiencë shumë e vështirë, por njëkohësisht edhe e bukur. Fëmijët e tyre janë nga mosha katër vjeç deri tek të rritur që tashmë kanë krijuar familjet e tyre.

Jimenez dhe Guzman kanë pasur fatin të kalojnë karantinën në një shtëpi të bollshme me një oborr të madh, që u është dhënë atyre shtatë vjet më parë nga një donator anonim. Por, në karantinë apo jo, një shtëpi e madhe dhe dhjetëra fëmijë kërkojnë shumë punë të përditshme.

Një situatë e tillë kërkon edhe kontributin e fëmijëve, ku disa prej tyre kujdesen për më të vegjlit, të tjerë pastrojnë oborrin, ambientet e brendshme të shtëpisë apo edhe gatuajnë.

Për të mbrojtur të gjithë familjen nga Covid-19, familja ka vendosur që vetëm një prej tyre të dalë nga shtëpia me biçikletë, i pajisur edhe me maskë dhe doreza për të bërë blerjet e nevojshme apo të kryejë shërbime të ndryshme. Familja nuk merr ndihmë nga qeveria, por shumë fqinjë i ndihmojnë me veshje dhe ushqime.

Tv Klan