Dhjetëra denoncime për dhunë në familje në dy muaj

“Kam ndenjur mbrapa shtëpisë me batanije natën, se kisha frikë, se ai thoshte do vij do të të vras. Do vij të të vras, ik që aty me fjalë nga më të pistat. O do të të nxjerr ty prostitutë…”

Kjo është Elona. Karantina e ka detyruar këtë 32-vjeçare të jetojë mbyllur në një shtëpi me bashkëshortin, që e kërcënon me vdekje. Ka menduar jo pak herë se nuk do të dilte më e gjallë prej aty. Një ditë vendosi të shkojë te shtëpia e prindërve, për t’i shpëtuar dhunës që zgjat prej 13 vjetësh, për shkak të xhelozisë.

“13 vite dhunë. Hera e parë ka qenë këtu tek shtëpia e burrit, pa bërë, që të shkëmbenin buke më prindërit e mi. Pas dy muajve më mori në Greqi, ushtroi dhunë, atje më theu dhëmbët. Të njëjtat histori haja dhe në shtatzëni. Sot e 13-14 vite që kam martesë, vetëm me dhunë dhe me kërcënime”.

Por edhe tek prindërit gjeti strehë vetëm për pak ditë, pasi nuk dëshironte të bëhej një barre edhe për ta. Dhunës thotë se nuk i kanë shpëtuar as 3 fëmijët e vegjël.

Gazetarja: A ka ushtruar dhunë në sy të fëmijëve?

“Gjatë gjithë kohës, në sy të fëmijëve është bërë çdo gjë. Djali i madh më ka përmendur vetë ai me ujë të ftohtë. Edhe atyre u ushtronte dhunë”.

Elona e ka denoncuar disa herë bashkëshortin, por nuk ka gjetur zgjidhje.

Gazetarja: Sa herë keni gjetur forcën ta denonconi në polici?

“E treta herë kjo. Nuk kishte asnjë shkak që mua të më rrihte”.

Vetëm tani ndihet më e qetë pasi bashkëshorti, me të cilin është në proces divorci, është larguar në Greqi.

Ajo nuk është e vetmja viktimë e dhunës në familje që është e detyruar të jetojë me dhunuesin në një shtëpi, në këto ditë të karantinës. Një rast i ngjashëm i denoncua në emisionin Stop, ku një bashkëshorti të dhunshëm gjykata i kërkonte të rrinte në një shtëpi me gruan, duke ruajtur një distancë prej 2 metrash.

Në Policinë e Tiranës, gjatë muajve Mars dhe Prill janë regjistruar 70 denoncime, si dhe janë ekzekutuar 103 urdhra mbrojtje. Por përfaqësuesja e Linjës Kombëtare të Këshillimit për gra dhe vajza, thotë se shifrat janë më alarmante.

Shumë gra e vajza të tjera vazhdojnë të heshtin ndaj këtij fenomeni. Ekspertët thonë se frika dhe fëmijët janë bërë shkak që shpeshherë gratë të mos e denoncojnë dhunën, por të bashkëjetojnë me të.

Tv Klan