Dëshmia e adoleshentëve që akuzohen se kanë përdhunuar 14-vjeçaren, ka qenë në kufijtë e të pabesueshmes. Gjithçka ndodhte pas përfundimit të mësimit. Mësohet se adoleshentja kishte simpati për një nga të akuzuarit. Fillimisht ajo është takuar në shtëpinë e një shoku të tij, ku kanë kryer marrëdhënie, ndërkohë që gjithçka është regjistruar me celular. Më pas me anë të videos djemtë shantazhonin 14-vjeçaren duke kërkuar marrëdhënie seksuale.

 

Vajza për rreth 3 muaj ka qenë pre e abuzimit të nxënësve të shkollës së saj por edhe të dy gjimnazistëve. Mësohet se ajo e ka mbajtur të fshehtë historinë tronditëse për më shumë se dy muaj dhe më pas i ka treguar gjithçka prindërve të cilët kanë kryer menjëherë denoncimin. Para trupit gjykues, 2 nga 7 të arrestuarit kanë pranuar akuzën e përdhunimit, të tjerët mohuan gjithçka. Megjithatë gjykata i la në burg të gjithë të prangosurit.

Kjo ngjarje ka tronditur të gjithë qytetin e Kavajës. Prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Rilindja” shprehen tepër të indinjuar. Ata theksojnë se gjithçka e kanë marrë vesh nga media, ndërkohë që bëjnë përgjegjës drejtorinë e shkollës që nuk denoncoi këtë perversitet.

Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” nuk ka pranuar të prononcohet për ngjarjen që ka tronditur jo pak opinion publik të Kavajës.

Tv Klan