Në kuadër të dy operacioneve policore të shtrira në Tiranë dhe Përmet të koduar “Alias” dhe “The zone” kanë rënë në prangat e policisë dy persona të cilët ishin në kërkim në Itali për shitje dhe trafikim të heroinës dhe kokainës.

Bëhet e ditur se në pranga ka rënë 37-vjeçari Dritan Idrizi alias Dritan Xhepexhiu i arrestuar në Tiranë dhe 40-vjeçari Elion Bejo i cili u kap në Përmet.

“-në Tiranë, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi D. I. alias D. Xh., 37 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 37-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 01.10.2019-31.01.2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar sasi të mëdhaja të lëndës narkotike kokainë, kryesisht në qytetet Bergamo dhe Breshia;

-në Përmet, në kuadër të operacionit “The zone”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. B., 40 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 40-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 07.10.2019-26.10.2019, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shitur lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, në doza, me vlerë rreth 17 000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të ekstraduar 2 shtetasit, në Itali.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme./tvklan.al