Lubjana Gjeçaj rekrutonte luftetarë për në Siri

Kjo është 43-vjeçarja Lubjana Gjeçaj, e cila u arrestua në Tiranë, pasi është dënuar në Itali me 3 vite burg, për pjesëmarrje në organizatë terroriste. Lubjana Gjeçaj përhapte propagandën dhe rekrutonte njerëz në Itali për llogari të ISIS, thotë policia.

Ajo akuzohet si pjesë e grupit që rekrutonte luftëtarë për shtetin islamik të ISIS-it që u godit nga autoritetet italiane në Korrik të vitit 2015 me Operacionin ‘Martesa’.

Në një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete në Itali dhe në Lushnjë të Shqipërisë, u arrestuan 10 persona, nga të cilët 4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez.

Lubjana Gjeçaj është një nga personat që lidhi martesën e terroristit shqiptar Aldo Kobuzi me një italiane për ta kthyer atë në xhihadisten e parë nga ky vend.

43-vjeçarja mendohet se ka mbështetur ISIS për rekrutimin e njerëzve gjatë vitit 2014-2015 në Itali. Ajo u la e lirë fillimisht dhe po qëndronte në një banesë tek Unaza e Madhe në Tiranë.

Gjatë kësaj kohe Antiterrori e ka mbajtur në vëzhgim, nga frika se mos përfshihej sërish në përhapjen e propagandës për ISIS.

Sapo ka ardhur urdhër-arresti nga Interpoli italian, menjëherë forcat e policisë së komisariatit Nr.6 e kanë arrestuar.

Ishte një krushqi e lidhur mes Aldo Kobuzit dhe italianes Maria Gulia, që më von do quhej Fatima, që zbuloi celulën terroriste në Itali.

Tv Klan