Një shqiptar është arrestuar nga policia spanjolle në Madrid, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet holandeze për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u kap në një banesë në Madrid gjatë një aksioni të policisë spanjolle. Atij iu gjetën 40 mijë Euro cash, orë të shtrenjta, bizhuteri me vlerë të paktën 1 milion Euro, 6 celularë dhe 1 dron.

Sipas autoriteteve holandeze, të cilat e kishin shpallur në kërkim, shqiptari ka qenë i përfshirë në një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine. Nga hetimet ka rezultuar se bëhet fjalë për një rrjet të përbërë nga kolumbianë dhe shqiptarë.

Hetimi për shqiptarin e arrestuar, që akuzohet edhe për pastrim parash, filloi në Shtator të vitit 2019, kur policia holandeze arrestoi disa persona për trafik droge midis vendeve të Amerikës Jugore dhe Europës.

Sipas policisë spanjolle, që ndërmori aksionin për arrestimin e tij, ishte i vështirë zbulimi i vendndodhjes së shqiptarit për shkak se ruhej me masa të rrepta. Vendi ku ai fshihej u zbulua gjatë muajit Prill të këtij viti. /tvklan.al