Olsi Leku ishte i arrestuar në Greqi. Vrau babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri

3 vite pas prangosjes në Greqi, ekstradohet në vendin tonë vrasësi i babë e bir, Nezir e Gentjan Beqirit. Olsi Leku u dënua për këtë ngjarje të rëndë me burgim të përjetshëm.

Ky krim që ka ndodhur në vitin 2012 u zbardh dhe falë bashkëpunimit me të penduarin e drejtësisë, Ervis Bardhi. Ky i fundit deklaroi gjatë hetimeve se ekzekutori është Olsi Leku.

Për këtë ngjarje, më datë 19 Prill të këtij viti, Gjykata e Posaçme dha tre dënime me burg për jetë për tre të akuzuarit: Olsi Leku, si ekzekutorë, por edhe për Ardjan dhe Florenc Çapjan, që u provua se ishin organizatorët dhe financuesit. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tjerë, Klajdi Dokoli dhe Etjen Canin, u dënuan me nga 25 vite burg.

Bashkëpunëtori i drejtësisë përfitoi një dënim më të ulët. Shkalla e Parë vendosi 15 vite burg për Ervis Bardhin. Të gjitha vendimet ishin më të larta se ato që kërkoi SPAK.

Hetimet vërtetuan se ngjarja kishte motiv hakmarrjen për vrasjen e vëllait të Ardjan Çapjas në vitin 2005.

Nezir e Gentian Beqiri u ekzekutuan brenda apartamentit të tyre. Ky i fundit ishte paralizuar dhe hetohej në “arrest shtëpie” për një tjetër ngjarje.

Eltien Cani së bashku me Olsi Lekun ishin shokë të Gentian Beqirit. Pasi përshëndetën policët, ata trokitën në derën e banesës, që u hap nga babai i Gentianit i cili i njihte këta 2 persona.

Sipas SPAK, Cani qëlloi me armë me silenciator Beqirin duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ata mbytën babain e tij. Dy policët që kishin për detyrë mbikëqyrjen, u hetuan nën akuzën “shpërdorim detyre”.

Klan News