29-vjeçari tregon mesazhet me cilët ka folur ditën e atentatit

Elmir Tufa 29 vjeç është njëri nga 4 të akuzuarit dhe të shpallurit në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt në qytetin e Fierit.

Në një intervistë ekskluzive me gazetarin Spartak Koka për emisionin Uniko në Klan Plus, Elmir Tufa mohon çdo përfshirje në ngjarje.

Ai thotë se ditën e atentatit në Fier ndaj Kastratit, ka qenë në qytetin e Krujës, dhe për këtë pretendon se ka fakte.

Spartak Koka: Çfarë ju lidh ju drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me vrasjen e Shkëlzen Kastratit?

Elmir Tufa: Me vrasjen e Kastratit, mua s’më lidh asnjë lloj gjëje. Unë atë ditë kam qenë në Krujë nga ora 7 e ca e mëngjesit, më datën 1 Shkurt, kam dalë nga shtëpia për të shkuar deri në Krujë se kishin ca gjyqe ca miqtë e mi edhe ishin atje në Krujë. Nga ora 8 unë kam qenë në Krujë. Aty kam qenë në kafe, kanë qenë edhe dy avokatë dëshmitarë, kanë qenë edhe ca që më njohin dhe i njoh. Kam edhe deklaratat, edhe unë kam folur edhe në telefon. Para se të ngjitem për Krujë kam marrë dikë në telefon, një mik, i kam thënë që jam duke i ngjitur në Krujë se kishim një gjyq atje, edhe më tha më prit në Krujë. Kam shkuar në Krujë, jam ulur në kafe, edhe kam pritur. Ai nuk erdhi u vonua pak, edhe kam marrë prapë në telefon atë i kam thënë hajde se jam në Krujë. Unë kam qelizat telefonike që atë ditë kam qenë në Krujë.

Spartak Koka: Deri në cilën orë ke qëndruar në Krujë?

Elmir Tufa: Deri nga ora 12 e ca…

Spartak Koka: Ke qenë fizikisht në Krujë?

Elmir Tufa: Fizikisht në Krujë, më kanë parë të gjithë, ka kamera, kam qenë te Panorama kam ngrënë bukë , kam hyrë te Posta Shqiptare, kam të gjitha filmimet, që të gjitha i kam marrë. Edhe telefonin që kam përdorur me WhatsApp, që i kam rënë personave në WhatsApp, edhe qelizat telefonike nga numri im.

Spartak Koka: Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:20-10:30. Në atë orë ku keni qenë?

Elmir Tufa: Në orën 09:12 jam me pamje filmike që jam ulur te Big Market nga makina ime. I kam që të gjitha pamjet filmike.

Spartak Koka: Sepse na interesojnë provat. Përtej fjalëve na interesojnë provat. Në rast se ju keni pamje filmike, t’i bëjmë publike sot.

Elmir Tufa: Unë i kam që të gjitha, me pamje filmike me qeliza telefonike, me mesazhe telefoni, edhe me kamera sigurie, kam edhe deklarata nga personat që më kanë dhënë. Unë kam mbi 20 dëshmitarë.

Spartak Koka: Kur e ke marrë vesh ngjarjen, vrasjen e Shkëlzen Kastratit?

Elmir Tufa: Ngjarjen e kam marrë vesh kur e ka dhënë emisioni Uniko. Aty e kam marrë vesh unë.

Spartak Koka: Që akuzoheshit ju?

Elmir Tufa: Që akuzohesha unë personalisht.

Spartak Koka: Por si ngjarje në datën 1 Shkurt, në ç’rrethana je njoftuar se ka ndodhur një vrasje në Fier?

Elmir Tufa: Nga rrjetet sociale, s’kam lidhje fare për këtë gjë, thjesht e kam parë në telefon.

Spartak Koka: Ndërkohë në emisionin Uniko keni dëgjuar për herë të parë përmendjen e emrit tuaj, sepse ju dhe Albert Zaja ishit dy personat e parë të shpallur në kërkim. Në kërkim policor jeni shpallur më 5 Shkurt, ndërsa me vendim gjykate jeni në datën 18 Shkurt së bashku me Albertin dhe me dy personat e tjerë. A e njihni Shkëlzen Kastratin?

Elmir Tufa: Jo fare!

Spartak Koka: Keni njohje ju personalisht me persona të tjerë nga Fieri, nga Ballshi, nga Mallakastra, nga zonat përreth?

Elmir Tufa: Jo fare! Nuk njoh asnjë andej, fare! As kam qenë ndonjëherë andej…

Spartak Koka: Kur ke qenë në Fier për herë të fundit?

Elmir Tufa: Për herë të fundit në Fier mund të ketë 6-7 muaj që kam qenë në Fier.

Spartak Koka: Nuk ke qenë më?

Elmir Tufa: Jo, jo fare!

Spartak Koka: Çfarë provash keni dhe mund të na i tregoni përpara kamerës? Çfarë numri telefoni keni përdorur?

Elmir Tufa: Te telefoni si numër i imi është 0696574197, që ka 6-7 muaj ky numër. E kam në këtë telefon numrin të përdorur. Dhe te WhatsApp kam një numër tjetër që kam shkruajtur mesazhe, është 0693686416 që e përdor në WhatsApp, ka gati 1 vit që e kam këtë numër. Edhe këtë telefonin ka 1 vit që e kam.

Spartak Koka: Këto numra në emër të kujt janë?

Elmir Tufa: Këto i kam në emrat e miqve të mi.

Spartak Koka: Provohet që ju e keni përdorur këtë numër telefoni dhe me familjarët tuaj? Pra, Prokuroria në rast se do e marrë këtë numër dhe do ta kryqëzojë me numrat e familjarëve të tu, do rezultojë që është ky numër është në përdorimin tënd?

Elmir Tufa: Është 100% e sigurtë që kam folur me të shtëpisë, me familjarët, me miqtë e mi, me kushërinjtë e mi. Ka një vit që flas me këtë numër.

Spartak Koka: Dalim tek mesazhet që si të provojmë ne që në datën 1 Shkurt ju keni qenë në qytetin e Krujës?

Elmir Tufa: Këtu kam mesazhet e WhatsApp që kam përdorur domethënë. Në orën 11:20 kam folur këtu 1 minutë. Kjo provohet ku kam qenë në atë kohë kur kam folur në telefon.

/tvklan.al