Ceremoni në Ferizaj, ku është edhe rruga me emrin e djalit të presidentit

46 flamuj janë vendosur në fshatin Bibaj të Ferizajt në nder të inaugurimit të presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Në shkollën e këtij fshati madje është organizuar një ceremoni modeste për nder të tij. Në këtë ceremoni ishin të ftuar edhe përfaqësues të KFOR-it amerikan.

E veçanta e ferizajasve që janë të lidhur edhe më shumë se qytetet e tjera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është se kanë afër kampin e forcave amerikane Bondsteel, ndërsa shumë banorë lokalë përreth janë të punësuar aty.

Ndërsa presidenti Biden është i lidhur emocionalisht me këtë vend, pasi rruga nacionale Ferizaj-Gjilan, mban emrin e djalit të tij Beau Biden. Pikërisht në këtë rrugë, përballë kampit të forcave amerikane në Sojevë të Ferizajt, është ngritur edhe memoriali në nder të djalit të tij.

Beau Biden vdiq nga kanceri në tru në moshën 46-vjeçare. Ai ka punuar në Kosovë gjatë vitit 2001 duke trajnuar prokurorë e gjyqtarë lokalë në kuadër të OSBE-së.

Biden, në ceremoninë e emërimit të rrugës, kishte thënë se djali i tij ishte i dashuruar me Kosovën. Ai edhe gjatë fushatës zgjedhore e ka përmendur faktin se një rrugë në Kosovë mban emrin e djalit të tij.

Tv Klan