#NëKurthinePiterPan | Talent-show me fëmijët “me të zgjuar”, gazetarët e të ardhmes dhe të ftuar speciale VIP. Një format “i ngrohtë”, i këndshëm, me shumë batuta humori, me fëmijë talente që nuk i keni parë kurrë më parë në TV shqiptare! Një gjë është e sigurtë: Ata nuk janë të turpshëm! Një format nga #VeraGrabocka & #AlketaVejsiu çdo të premte 21:00 në #TvKlan.

Rovena Dilo

“S’na e gjente askush”/ Kënga e Rovena Dilos, fjalëkalim Facebook-u!

Rovena Dilo është një nga kontribueset e artit shqiptar që ka bërë të mundur ruajtjen në arkivë të disa prej këngëve më të bukura. Këngë që flasin për dashurinë, dhimbjen, forcën dhe që vijojnë të mbeten në kujtesën e admiruesve.

Për herë të parë pas kaq shumë kërkesash, këngëtarja ia doli që më në fund të gjendet përpara gazetarëve të vegjël  “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan. Duke qenë se teknologjia është tashmë pjesë e pandashme e brezave të rinj, pyetjet e tyre të para u lidhën me ndjekësit e saj në Instagram.

Rovena nuk ngurroi të ndante disa episode që lidhen me dy prej këngëve të saj, “Dorëzohem” dhe “Për një çast më ndali zemra” të cilat kanë rëndësi të madhe për admirueset e saj.


Rovena Dilo: Shiko çfarë më ndodhi sot një gjë shumë e bukur me një vajzë. Kisha një punë me të, ajo është 23 vjeç dhe motrën e ka nja 2 vjet më të madhe dhe ato vdesin për “Dorëzohem”, ti e di tha që kur kemi qenë nja 15-16 vjeç hapëm Facebook dhe i vumë një fjalëkalim që të mos na e kapte askush? Dhe çfarë i kishin vënë, sot e mësova, thashë do t’ia them, “dorëzohemrovenadilo”. S’na e gjente askush tha.

Alketa Vejsiu: Po kujt i ishin dorëzuar?

Rovena Dilo: S’e di unë, 15 vjeç ishin ato.

Alketa Vejsiu: Po dikush që të kishte kërkuar,  më thuaj pak të lutem atë vajzën që të kishte kërkuar që këngën e dashurisë t’ia këndoje…

Rovena Dilo: Donte valsin e hapjes së martesës, por unë do t’i shkoj, ja më 11 tetor në Tetovë, do të këndoj “Për një çast më ndali zemra”, ma ka kërkuar këngën dhe do që t’ia hap unë natën e festës më të madhe, më të bukur të jetës së saj, të martesës dhe më tha që dua që valsin e çiftit ta kem nga ti, patjetër i thashë.

Rovena Dilo flet për njeriun e saj më të shtrenjtë: I bëj çdo ditë poezi…

Këngëtarja Rovena Dilo, ishte e ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, nga ku do të vihet përballë pyetjeve speciale e të vegjëlve të studios.

E pyetur nga Debora se kush është njeriu më i mirë që ajo ka takuar, këngëtarja nuk mohoi asnjë person që ajo është përballë gjatë jetës së saj, por vendin e veçantë e zënë prindërit.

I ati i Rovena Dilos ka ndërruar jetë, por gjithashtu dashuria për nënën e saj duket po aq e fortë, pasi këngëtarja deklaroi se i kushton asaj çdo ditë poezi. “Nuk e meriton më shumë se nëna”, tha Dilo, referuar kështu shprehjes së dashurisë për prindin.

Debora: Mami im thotë se në botë ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqinj. Por, kush është njeriu më i mirë që ke takuar?


Rovena DiloNë jetë kam takuar shumë njerez të mirë, sepse njerëz të mirë ka shumë. Ka më shumë njerëz të mirë se njerëz të këqinj. Po siç thotë miku im avokat, e keqja thotë, merr përmasa dhe e mira rri e heshtur. Ndaj, e mira nuk duket. Kështu që, unë kam takuar shumë, e t’i përmend të gjithë do të na duhej shumë kohë, por njerëz shumë të mirë, të rëndësishëm, janë prindërit. Kur ata janë vërtetë të dashur, janë mbështetje, janë gjithçka. Edhe unë e kam një mamush, që po më shikon tani, që është një njeri shumë i mirë, përveçse që është mami im.

Alketa Vejsiu: I thuaj ndonjë fjalë më të bukur, se ajo tani… I zgjatet jeta, i jep bonus jete.

Rovena DiloAsaj i bëj çdo ditë poezi.

Alketa VejsiuJa bën vërtet?

Rovena DiloÇfarë nuk i them.

Alketa Vejsiu: E kush e meriton më shumë se nëna në fakt?

Rovena Dilo: Nuk e meriton askush më shumë në fakt se nëna, më bëso. Domëthënë, Silvia ime është tani aty, duke më parë. Ajo e di që për mua është univers? Univers është i vogël… Është shumë pak.

Alketa VejsiuTi babain e ke humbur…

Rovena Dilo: E kam humbur, por s’dua të flas tani se filloj e qaj.

“Do e bëj një beb!” Rovena Dilo ‘u plotëson’ dëshirën fëmijëve

Kureshtarët e vegjël të programit “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan nuk ngurrojnë t’i vendosin të ftuarit në vështirësi me pyetjet apo me kërkesat. Pasi kaloi me sukses sfidën e repit, Rovena Dilos iu desh të përballej me pyetjet që lidhen me jetën personale.

E para lidhej me mëmësinë dhe këngëtarja tha se në këto orë që zhvillohet programi, “ndihet si një nënë me shumë fëmijë”. Kurse pyetjes për dashurinë, ajo iu përgjigj se “ka pasur karroca që do t’i ëndërronin të gjitha vajzat”.

-Mua mami më thotë se fëmijët janë si dhuratë. Po ti do të doje ta kishe dhuratën nga qielli apo s’e ke hapur ende kutinë? Do të të pëlqente jeta me 10 fëmijë apo janë shumë?

Rovena Dilo: Po pse mi,  juve nuk ju kam si  fëmijë unë tani?

-Jo.

Rovena Dilo: Ua ju kam mi! Unë kështu ju kam tani!

Alketa Vejsiu: Si ndihesh si një mama me 10 fëmijë se ka  pasur në kohën e gjysheve tona…

Rovena Dilo: Jo moj, ç’thotë ajo 10? Mua më thotë 10.

-Ne jemi nga ata që të pyesim.

Rovena Dilo: Nuk më doni sot për mami as 2 orë? Mirë, mirë, mbajeni mend! Vetëm 1 orë do më japësh?

-Bëj një beb se janë shumë të mirë bebat!

Rovena Dilo: Patjetër! Tani që ma the ti, do ta bëj!

Alketa Vejsiu: E ke menduar ndonjëherë sesi do të ishte jeta jote me shumë fëmijë? 

Rovena Dilo: Babai i mamasë sime, gjyshi im nga mamaja ka pasur shumë fëmijë dhe unë e di si është  jeta me shumë fëmijë se kam parë një shtëpi super plot të gjyshit tim, Naim Vreto.

-Rovena, ti ke pasur princër, por ata s’të paskan sjellë kurorë. Mos ndoshta karroca e dashurisë është kthyer në një kungull më shpejt se c’duhej?

Rovena Dilo: Jo mi zemra! Unë kam pasur vetëm karroca dashurie, asnjëherë kunguj. Dhe karroca shumë të bukura, nga ato që do t’i donin të gjitha gocat.

Alessio Alia

Kënga e Drake me simbolet shqiptare, Alessio Alia zbulon se dedikimi s’paska qenë ai që mendonim!

Alessio Alia njihet sot si një prej menaxherëve të famshëm të VIP-ave duke nënshkruar kontrata dhe bashkëpunime shumë të rëndësishme me yje shqiptarë e ndërkombëtarë. “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, ai gjeti talentet e reja të muzikës që performuan para tij këngën “Believer”. Ai ‘u ofroi’ që t’i merrte nën menaxhim dhe të vijonte punën me ta, njësoj siç ka bërë me superyjet.

Duke u ndalur te këta të fundit, Alessio tha se ka bashkëpunuar me Drake, Justin Bieber, Rihanna,  Beyonce etj. Madje ai u zbuloi fëmijëve se Drake ka shkruar një këngë për Shqipërinë sepse ia kishte premtuar shokut të tij që është shqiptar. Sipas Alisë, “Polar Opposites”,  ku ai u shfaq i veshur me xhaketë me shqiponjën pas, nuk i është dedikuar një vajze siç u përfol.


Alessio Alia: Unë punoj me këngëtarët e botës. I njihni këngëtarët? Më thoni, kë njihni ju?

-Drake.

Alessio Alia: Para 2 muajsh kam punuar me Drake. Justin Bieber, kam punuar 2 herë me Justin Bieber. Rihanna, Beyonce, me të gjithë. I njihni?

-Eminem!

Alessio Alia: Eminemin e kam parë, kam qenë në koncertin e tij.

-Ia ke  numrin?

Alessio Alia: Jo, s’e kam numrin. A e di ti që Drake ka bërë një këngë për Shqipërinë? E ka bërë vjet sepse ka pasur një shok shumë të ngushtë dhe i ka dhënë fjalën, besa, që do ta bënte këngën para festës së flamurit dhe e bëri. Ka qenë i vetmi këngëtar që e ka bërë nga fillimi në fund me flamurin shqiptar.

Alketa Vejsiu: E bëri për shokun apo për shoqen ai?

Alessio Alia: Jo, e bëri për shokun, s’ka lidhje me shoqen fare.

Alketa Vejsiu: Ishte vetëm thashethem?

Alessio Alia: Është thashethem kot.

Alessio është përpjekur shumë që në hartën muzikore të Australisë të vendosej edhe Shqipëria. Ai ka mundësuar koncerte atje ku kanë performuar Noizy, Elvana Gjata, Kida, Ledri  Vula, Dhurata Dora  etj, pasi komuniteti shqiptar vetëm në Melburn është mbi 40 mijë. Nga ana tjetër, ai dëshiron që Drake të vijë në Shqipëri.

“Doja ta sillja në Shqipëri, por kur të flas që ta bëjnë edhe ata punën e tyre, do ta sjell në Shqipëri”, përmbylli ai.

Partnerja australiane apo shqiptare? Alesio Aliaj: Me të huajat u lodha…

Alesio Aliaj nuk mund t’i shpëtonte pyetjes lidhur me jetën e tij private. Kur flasim për jetën private e kemi fjalën për ndonjë partnere të mundshme, gjë që ai nuk e mohoi.

I ftuar “Në Kurthin e Piter Pan”, Aliaj u shpreh fillimisht se ka një marrdhënie me respekt të reciprokë me ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ka 3 fëmijë. Ndërsa u pyet nga Alketa Vejsiu nëse beson më tek martesa, Aliaj u shpreh në fjalë të tjera, se vendos zemrën e tij tek dashuria kur ndodhet në një të tillë.

Alketa Vejsiu: Ke dikë ti në jetën tëndë që të sjell në mëngjes, një kafe me qumësht, që ta shijosh për shtatë palë qejfe?

Alesio AliajJo, po… Ëëë, në jetën time është një, por nuk zgjohesh ashtu, zgjohesh ndryshe. Jo me buzëqeshje…

Alketa Vejsiu: Ja bën ti kafen apo ta bën ajo ty?

Alesio Aliaj: Unë kam shumë qejf të bëj kafe e të gatuaj. Është reciprok, ma bën e mua.

Alketa Vejsiu: Ti ke 3 fëmijë nga martesa e parë. Tani jetët tuaj janë ndarë, fëmijët qëndrojnë atje, ti shkon vazhdimisht e vjen.

Alesio Aliaj: Po puna ime.

Alketa Vejsiu: Ke një bazë atje, një bazë këtu. Tani, beson më tek martesa? Tek shanset e dyta?

Alesio Aliaj: Nuk është muhabeti besoj a jo tek martesa. Një gjë që na ndodh të gjithëve. Rëndësi ka që të jetë një marrëdhënie shoqërore e të ketë respekt ndaj njëri tjetrit. Mos të harrojmë, janë në mes tre kalamajtë, që unë jap çdo gjë për ata të tre.

Alketa Vejsiu: Marrëdhënie civile me partnerët, për fëmijët e gjithçka që është kaluar. Fëmijët? Çdo gjë bukur?

Alesio Aliaj: Çdo gjë bukur.

Alketa Vejsiu: I ke sjellë ndonjëherë në Shqipëri?

Alesio Aliaj: Dy të parët kanë qenë.


I pyetur nëse partnerja e tij është e huaj apo shqiptare, Aliaj u përgjigj se është shqiptare, por emrin nuk dëshiron ta zbulojë. “Le të rrjedhë”, shprehet ai për lidhjen e tij me gruan “misterioze”

Alketa VejsiuNjë pyetje kisha unë, jam kurioze. Tani, fëmijëve s’u intereson shumë, por mua më intereson ta dija, partnerja që ke është shqiptare apo vazhdon kështu me Australinë atje, një copë të zemrës?

Alesio AliajNga vijnë këto informacione?

Alketa Vejsiu: Australiane apo shqiptare?

Alesio AliajTa lëmë gjënë më të bukur të rrjedhë.

Alketa Vejsiu: Jo, jo. Shqiptare apo australiane është ajo që ta ka marrë zemrën?

Alesio Aliaj: Me të huajat u lodha, iku ai muhabet. Është shqiptare.

Alketa VejsiuDëgjo, po të ftova prap, në një intervistë tjetër do më thuash e emrin se si quhet.

Alesio AliajTë kujt?

Alketa VejsiuTë asaj.

Alesio AliajJo, kemi ardhur për kalamajtë, ja ku i kemi bukuritë.

/tvklan.al