#NëKurthinePiterPan | Talent-show me fëmijët “me të zgjuar”, gazetarët e të ardhmes dhe të ftuar speciale VIP. Një format “i ngrohtë”, i këndshëm, me shumë batuta humori, me fëmijë talente që nuk i keni parë kurrë më parë në TV shqiptare! Një gjë është e sigurtë: Ata nuk janë të turpshëm! Një format nga #VeraGrabocka & #AlketaVejsiu çdo të premte 21:00 në #TvKlan.

NIK XHELILAJ

E zbulon “Në Kurthin e Piter Pan”, Nik Xhelilaj dëshiron të bëhet baba

Nik Xhelilaj është një aktor me karrierë brilante brenda dhe jashtë kufijve. Mbrëmjen e kësaj të premteje ai ishte i ftuar në spektaklin “Në Kurthin e Piter Pan, në Televizionin Klan. Pikërisht nga kjo skenë, i rrethuar nga fëmijët, aktori shprehu dëshirën për të pasur një pasardhës.

farë është kuptimi i jetës për ty?

-Me këtë ardhjen sot këtu me thënë të drejtën, me këtë emocion që më dhatë ju, do të thoja që ju fëmijët i jepni një kuptim tjetër, më të veçantë jetës. Deri tani kisha një filozofi shumë të thjeshtë; të duash gjithmonë, të vazhdosh përpara, të zgjohesh, të punosh, të kesh një dëshirë të zgjohesh dhe të nesërmen dhe të pasnesërm. Por sot, pas këtij emocioni që dhatë dhe ju… ngacmuat një ndjesi, mbase mund të vijë një ditë ku dhe unë të kisha një pasardhës, një familje…

“As turke, as gjermane nuk ka goditur”, Nik Xhelilaj: Duhet të vijmë këtej nga mëmëdheu

Kurioziteti i fëmijëve dhe jo vetëm është se çfarë kombësie do të mund të ketë partnerja e ardhshme e aktorit Nik Xhelilaj.

I pyetur nga Noeli, sonte në “Në kurthin e Piter Pan”, aktori deklaroi se meqënëse asnjë vajzë turke apo gjermane nuk e ka “goditur” në zemër, mbase i duhet të kthejë sytë nga Shqipëria.

NoelKush të pëlqen për nuse, shqiptare, gjermane apo turke?

Nik Xhelilaj: Pyetje e vështirë…

Noel: Turke them unë.

Nik Xhelilaj: Turke, meqë dashke ti turke, atë po zgjedh dhe unë.

Alketa Vejsiu: E humbe audiencën shqiptare Nik.

Nik Xhelilaj: Pse?

Alketa Vejsiu: Atje në Turqi bëju qejfin turkeve, ç’ke me turket këtu? Gjithë këto vajza shqiptare beqare këtu që presin për një djalë si ti.

Nik Xhelilaj: E para, nuk jam fare në ato ujëra, por përderisa kam 10 vjet andej, as turke, as gjermane nuk ka goditur, do të thotë që duhet të vijmë këtej nga mëmëdheu. Mbase mund të shohim çik me sy më të mirë Shqipërinë.

“Më donin ushtarak, por u arratisa”, fotot e rralla të aktorit Nik Xhelilaj me uniformë

E njohim si një nga aktorët më të mirë shqiptarë, por për pak mund t’i hynte edhe një zanati tjetër. Nik Xhelilaj, tregoi sot në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” se prindërit e tij kanë dashur që ai të ndiqte rrugën e profesionit të tyre, ushtarak. Kështu, në studio u publikuan disa foto të rralla të tij me uniformë.

Por Xhelilaj tha se vetëm kapelja i ka ngelur nga ky profesion pasi u arratis për të bërë atë që bën edhe sot. Aktori i njohur tregoi edhe si i ati e aprovoi profesionin e ri të të birit.

Xhelilaj tha se ka qenë pas premierës së filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” kur i ati vuri në të gjitha tavolinat e një kafeneje revista ku në kopertinë ishte djali i tij bashkë me Michele Placido.

Alketa Vejsiu: Më trego pak më shumë rreth këtyre fotove?

Nik Xhelilaj: 13-14 vjeç jam aty.

Alketa Vejsiu: Pse ishe i veshur si ushtarak?

Nik Xhelilaj: Sepse më ka dërguar prindërit në Stamboll në vitin ’97, se unë i kam të dy prindërit ushtarakë dhe donin të ndiqja, sidomos babi, si të thuash, rrugën e tyre. Shiko dhe atëherë me kapele dhe tani me kapele. Vetëm ajo më ka ngelur nga ushtria sepse u arratisa pastaj.

Alketa Vejsiu: Në këto 15 vite karrierë ti ke plot 15 filma dhe seriale ku interpreton, kë quan ngjarjen më të madhe artistike tënden edhe për t’i treguar babait që ok, ushtaraku ishte një zgjidhje, por pasioni dhe talenti yt i vërtetë ishte aktrimi…

Nik Xhelilaj: Kam një histori të tillë… tek filmi i parë “Trishtimi i zonjës Shnajder” ne pasi bëra filmin etj etj. Filmi doli në kinema, pastaj në film luan dhe Michele Placido. Nuk e di nëse e keni parë ju. Michele Placido vjen dy javë pas premierës dhe bëhet një njeri premierë. Ka qenë revista “Klan”, nuk e di si quhej ato vite dhe unë me Michele Placido, kemi dalë të dy në kopertinë. Në shtëpi kemi pasur një kafe të vogël dhe çdo mëngjes që nxirrte tavolinat babi, edhe unë kur e ndihmoja, kemi pasur një kioskë afër dhe ai ka vajtur ka blerë të gjitha revistat i ka lënë në çdo tavolinë në kafe. Ai ishte si të thuash aprovimi i tij që tani ishte i kënaqur me zgjedhjen që unë kisha bërë. E përshëndes se nuk e kam përshëndetur asnjëherë kështu live babin. Se ka dhe ditëlindjen sot. I uroj edhe 100 vjeç.

“E do dhe një nuse robi”, Nik Xhelilaj në kërkim të partneres?

Të gjithë e dimë beqar, dhe mesa duket paskemi të drejtë. Aktori i njohur Nik Xhelilaj është shprehur mbrëmjen e sotme në “Në Kurthin e Piter Pan” se pas parave e suksesit “ e do dhe një nuse robi”, teksa vogëlushi Spiro i lexonte filxhanin.

Nik Xhelilaj: Po tjetër, naj nuse, naj gjë? Se prandaj kemi ardhur ne…Jemi që jemi, se edhe lekë edhe sukses, e do dhe një nuse robi që është rob.

SpiroKëtu thotë se edhe një nuse do kesh.

Nik XhelilajShqiptare, gjermane apo turke?

SpiroTurke

Nik XhelilajBravo, ka lezet! Çok guzel

Alketa i qëron qepën, a qau Nik Xhelilaj në studio?

Nik Xhelilaj është një nga aktorët më të njohur shqiptarë me një karrierë brilante jashtë dhe brenda vendit tonë. Ai ishte i ftuar sot “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan.

Xhelilaj ka krijuar disa skena humori teksa para tij u vu një qepë për ta bërë për të qarë si aktor që është. Por a qau aktori në studio apo Alketa Vejsiu që ia qëroi qepën?

Natalie: Unë tani do të të bëj një lojë…A do të qash pak për mua?

Alketa Vejsiu: Ke nevojë për qepë apo?

Nik Xhelilaj: Ta provoj pak këtë të qarën me qepë.

Alketa Vejsiu: Tani këtu, ajo e ftuara e dytë do më rrijë 3 metra larg se do më vijë era qepë. Qepa dhe hudhra janë shumë të mira për shëndetin, por kanë një aromë në fakt, ah çfarë arome.

Nik Xhelilaj: Qepë e atyre viteve ’90, ’80. Me këtë qanke?

Alketa Vejsiu: Era qepë, na u hapën mushkëritë.

Nik Xhelilaj: Po içik qofte keni këtu, apo vetëm qepë.

Alketa Vejsiu: Po dhe ju asistentët që na e sillni qepën të paqëruar, na e sillni qepën që ta qërojmë. Të na e kishit bërë pak gati. Tani mbaje Natalie. Mbaje në dorë dhe vërja përpara syve Nikut. T’i vëmë pak muzikë dramatike Nikut ta bëjmë të qajë me detyrim.

Nik Xhelilaj: Ti Natalie këtë nuk e bëmë te prova. Obobo. Me këtë sfondin mbrapa. Kjo qepa qenka maqedonase, nuk qenka shumë e fortë, nuk të bënka për të qarë. Nuk kam për të qarë më duket.  Më vjen shumë keq.

Alketa Vejsiu: Nuk të vjen?

Nik Xhelilaj: Nuk po më vjen. Nuk qankam kështu kot.

Alketa Vejsiu: Do të të ndihmojmë Nik. Zëre se unë tani do lë “Piter Panin”, se më ka ndodhur një gjë, o zot mos të ndodhë gjë.

Nik Xhelilaj: Po lëre edhe po të ndodhi diçka?

Alketa Vejsiu: Akoma nuk jam gati për ta lënë Piter Panin, por do vijë edhe ajo ditë.

Nik Xhelilaj: Mirë qaj ti, pse të qaj unë për ty?

Alketa Vejsiu: Dua të të ndihmoj ty të qash tani. Më thuaj xhanëm, mos më lër. Po qaj unë para teje. (Qesh)

Habit Nik Xhelilaj: E kam më kollaj t’ia shpreh dashurinë një femre në gjuhë të huaj

Nik Xhelilaj është një nga aktorët më të mirë shqiptarë me një karrierë brilante brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” ku iu përgjigj pyetjeve pikante të fëmijëve të vegjël.

Një ndër to ishte të tregonte se si do ia shprehte dashurinë një vajze në gjermanisht dhe turqisht, duke qenë se ai jeton dhe punon mes Berlinit dhe Stambollit. Pasi aktori tregoi fjalët në gjermanisht tha se e ka më të lehtë që t’ia shprehë dashurinë një vajze në gjuhë të huaj se sa në shqip.  

Tea: Ti flet dhe gjermanisht dhe turqisht. Si do ia shprehje dashurinë një vajze në gjermanisht dhe turqisht?

Nik Xhelilaj: Më ka ndodhur që ua kam shprehur në shqip të dyjave, që të mësojnë pak shqip ato. Kështu që po të ishte në gjermanisht do i thosha “schtaz” ose “süss”. E di ça është “süss”? E ëmbël, karamele edhe ti kështu karamele qenke. E di që është më e lehtë në gjermanisht nuk e kishe keq këtë pyetje. Më lehtë e kam në gjuhë të huaj t’ia them një vajze sa e mirë që jam, sa qejf të kam sesa në shqip. Në shqip e kam harruar pak.

Nuk do ta besoni sa është rritur “Taramelja”, rikthehet në studion e “Në Kurthin e Piter Pan”

Të gjithë e mbani mend “Taramelen”. Xheisoni ishte një ndër fëmijët e “Në Kurthin e Piter Pan” që i bëri për vete të gjithë shqiptarët.

Për shkak se ai shqiptonte shkronjën “T” në vend të shkronjës “K” nuk ishin të pakta situatat kur ai krijoi humor dhe solli lumturi në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve. Po ashtu, ai emocionoi të gjithë kur u bë me shtëpi të re.

Por “Taramelja” tashmë është rritur. Xheisoni u rikthye sot në studion e “Në Kurthin e Piter Pan”.

“Kam bërë shumë gjëra të mira këtu dhe mu kujtuan të gjitha momentet”, tha Xheisoni.

Këtë herë ai kishte një mesazh për gjyshin. Të mos shesë shtëpinë ku është rritur sepse thotë se ka kujtime të pafundme. Aty kërkon që të ndërtojë tashmë një fermë ose një restorant fshati.

Mesazhi i Alketës nga skena e “Në kurthin e Piter Pan”: Toka dhe detet na japin mbrapsht, atë që ju japim ne

Alketa Vejsiu ka dhënë një mesazh mjaft të bukur sensibilizues mbrëmjen e sotmë në skenën e “Në kurthin e Piter Pan”. Ajo emocionoi me fjalët e dedikuara asaj që njerëzit shpesh e harrojnë, Tokës dhe pasurive të pafundme të saj.

Mesazhi i plotë:

Dua ta përdor këtë skenë për të dhënë disa mesazhe sensibilizuese për të gjithë. Kam zgjedhur sot temën e Tokës. Shpesh harrojmë, por jetojmë në një vend që perëndia ja ka qëndisur natyrën. Kemi nje det të mrekullueshëm, kemi liqene, kemi lumenj, pyje.

Por, pikërisht në ujin e tyre të mrekullueshëm, në tokën e begatë jeton një botë e tërë gjallesash dhe bimësh. Fatkeqësisht duke shijuar e notuar natyrën tonë në tokë apo det kemi hasur: Shishe plastike, shishe qelqi; birrë e verë, qese plastike dhe gjithëfarë sendesh e objektesh që vrasin habitatin e gjallesave. Kemi pyje që digjen edhe në Shqipëri, kemi lumenj që po thahen. Shumë burime natyrore shfrytëzohen keq nga njeriu.

Mos harroni Toka dhe detet na japin mbrapsht, atë që ju japim ne.
• Studimet tregojnë se nëse vijohet kështu;
• Deri në vitin 2050-e, do të kemi më shumë plastikë sesa peshq në oqean!
• 1 në 3 peshq të dalë nga deti ka plastikë në trup, peshq që ne i konsumojmë.
• Plastika do 500-1000 vjet të dekompozohet
• Dekada e fundit ka qenë më e nxehta e njerëzimit; Akujt po shkrijnë dhe ngrohja globale për shkak të industrializmit po kërcënon njerëzimin.

Ju kërkoj veç 1 minutë të reflektoni dhe t’i rikujtoni këto pyetje vetes:

  1. A keni menduar ndonjëherë se çfarë do të ndodhë me detet?
  2. Keni menduar për vlerën e natyrës? – Është barku i planetit që lind lumturinë.
  3. Po për kafshët keni menduar? Mbretëritë që janë bërë pluhur…
  4. Po për gjuetine e elefantëve dhe arinjve polarë, po për balenat që qajnë, nga gjuetia e humanëve?
  5. Detet do të hakmerren!
  6. Po për pyjet që po digjen? Dhe për tokat e shenjta?
  7. Toka do të hakmerret! Mendo veç njëherë sikur je ti bima, pema frutore, korali, alga, peshku, elefanti. Mendo të ruash planetin në mënyrën tënde. Ne kemi vërtetë mundësinë që të ndërtojmë një të ardhme ku natyra lulëzon për shkak të dashurisë dhe kujdesit të njeriut.

ADROLA DUSHI

Habit Adrola Dushi: Kam punuar që 8 vjeç

Modelja e njohur Adrola Dushi ka zbuluar sonte “Në kurthin e Piter Pan” se kur e ka marrë rrogën e saj të parë.

Ajo rrëfeu se ka ndihmuar mamanë e saj të shiste rroba kur ishte vetëm 8-vjeçe dhe fitonte diku te 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Sipas saj, kjo sakrificë që në moshë të vogël i ka dhënë edukatën  e duhur të punës për ta mbajtur veten financiarisht.

Aleksandër: Kur ke marrë rrogë për herë të parë?

Adrola Dushi: Isha një gocë e vogël kur mami im punonte dhe shiste rroba. Dhe nga frika se mos do më ndodhte diçka e keqe më merrte me vete dikur, kur isha në moshën 8-vjeçare. Pastaj, avash avash fillova të punoja dhe mamaja më paguante diku te 5 mijë lekë në ditë. Ajo ishte rroga ime e parë, që unë atëherë në ndonjë moment ndihesha keq, pse duhet të punoj në këtë moshë kur shoqet e mia po luanin. Ama, unë sot jam super krenare që kam marrë edukatën e punës që fëmijë dhe sot di ta mbaj veten shumë mirë, edhe djalin tim dhe gjithçka tjetër.

Ishte 20-vjeçe kur u bë nënë, Adrola Dushi: Mendoja që ta ndërprisja shtatzëninë, por…

Adrola Dushi u bë nënë në moshën 20-vjeçare. Në një rrëfim tejet të sinqertë mbrëmjen e kësaj të premteje në spektaklin, “Në Kurthin e Piter Pan”, modelja foli për ato momentet e para kur mësoi që priste një fëmijë. Pranoi se e kishte menduar edhe të ndërpriste shtatzëninë, megjithatë sot, Adrola e quan të birin një mrekulli dhe thotë se çdo peripeci që mund të ketë kaluar, ia ka vlejtur.

“Po, kam qenë 20 vjeçe kur u bëra nënë. Gjithçka erdhi shumë papritmas, nuk isha aspak gati që ta merrja atë titull në jetën time, që është titulli më i bukur absolutisht. Gati-gati mendoja që ta ndërprisja shtatzëninë time. Ama në jetën time është një mrekulli, djali im Troi, i cili më ka dhënë kuptimin e jetës dhe absolutisht jam shumë krenare për atë fëmijë që kam. Të gjitha peripecitë jo të lehta që unë kalova në atë kohë, i ka shpërblyer të gjitha im bir dhe jam shumë shumë-krenare për të”, tha modelja.

Në një lidhje dashurie me Capital T? Si përgjigjet Adrola Dushi

Prej kohësh modelja Adrola Dushi flitet se është në një lidhje me reperin e njohur Capital T. E teksa ishte e ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” kjo pyetje nuk mund t’i shpëtonte fëmijëve.

“Ne vetëm shokë jemi”, tha ajo, por gjithsesi e pati një përshëndetje për të. Po ashtu ajo komentoi edhe një video të Capital T që thoshte në një edicion të kaluar të “Në Kurthin e Piter Pan” se personi të zemrës i ka thënë shumë herë të dua, por akoma nuk e ka propozuar.

“Shok e kam, por jo aq shumë sa të hapë zemrën”, u përgjigj Adrola pasi u pyet nëse e di për kë e ka thënë këtë gjë Capital T.

Noel: A ke një kapo në jetën tënde?

Adrola Dushi: Unë jam kapo i vetes time dhe këtë gjë ia mësoj dhe djalit tim, duhet të jetë i zoti i vetes. Por sigurisht që do të doja shumë që të kisha një partner kapo, i cili do më udhëhiqte në jetën time, sepse ne femrat jemi të brishta, duam qetësi, duam dashuri, ndërsa meshkujt janë më luftarakë, janë më të fuqishëm dhe sigurisht dua të kem një partner kapo në jetën time.

Alketa Vejsiu: Kam një foto këtu që kam dëshirë ta tregoj. Kam një foto për Adrolën dhe dua ta pyes pak nëse e njeh këtë True Kapon.

Adrola Dushi: Kapo, Kapo, Kapo. Ç’është kjo, ç’është gjithë ky emision. Kam frikë të shkoj në një emision Kapo, Kapo, Kapo. Ne vetëm shokë jemi. E përshëndesim Kapon kudo që ndodhet.

Alketa Vejsiu: E di që kështu ka thënë dhe ai për ty. Meqë ti e ke shok Kapon, që nuk duhet të jetë tension, por duhet të jetë relaks, shiko çfarë ka thënë ai kur ka qenë në Piter Pan.

Adrola Dushi: I kam thënë shumë herë të dua, por akoma nuk e kam propozuar, po presim për një moment më të mirë.

Alketa Vejsiu: Meqë e ke shok di gjë për kë e ka Kapo për këtë gjë që tha ?

Adrola Dushi: Shok e kam, por jo aq shumë sa të hapë zemrën. Këtë gjë nuk e di. Do e pyes, mbase do më thotë, nuk e di.

Alketa Vejsiu: Asgjë nuk morëm vesh, vetëm sa herë priten bileta Tiranë-Prishtinë-New York.

Adrola Dushi: S’ka.

Alketa Vejsiu: Nuk e di asnjeri vetëm e marrim me mend.

Adrola Dushi rrëfen “çmendurinë”: 2 javë para se të lindja i hipa avionit dhe….

Modelja Adrola Dushi rrëfeu mbrëmjen e kësaj të premteje “Në Kurthin e Piter Pan”, eksperiencën e të bërit nënë në moshën 20-vjeçare. Vendosi që lindjen ta bënte në Amerikë, atje ku jetonin prindërit dhe i hipi avionit vetëm pak javë para se të sillte djalin në jetë.

Adrola Dushi: Kisha vendosur ta lindja djalin në Tiranë, por në një moment të caktuar e ndjeja veten shumë të ngarkuar psikologjikisht dhe thashë ‘ok’, do iki në Amerikë te mamaja ime të lind atje për sigurinë time dhe të djalit tim. Dhe udhëtova për në Amerikë, në muajin e nëntë të shtatzënisë që nuk është e lejueshme, po unë si maloke që jam e marr rrugën time.

Alketa Vejsiu: Maloke më të bukur me të thënë të drejtën nuk kam njohur.

Adrola Dushi: Udhëtova në Economy Class në fakt, që është me të vërtetë shumë e vështirë që një femër të udhëtojë në rrugë aq të largët. U ënjta shumë. Pas rreth 2 javësh, linda djalin. Gjithçka shkoi shumë mirë. Duke qenë se nuk isha fare gati për lindjen time, kur lindi djali u ndjeva shumë keq, nuk po lidhesha dot emocionalisht me Troin. U ndjeva pak hipokrite ç’është kjo ndjesi që s’po e kuptoj, nuk po e marr dot. Të nesërmen Troi bëri një ndërhyrje shumë të vogël që nuk është e rëndësishme, ose e rëndë. Dhe në atë moment kur djali më erdhi në dhomën tim, kur e pashë që trembej dhe qante, aty ishte dashuria më e madhe e jetës time. Aty filloi dashuria e jetës time.

Adrola Dushi rrëfen vështirësitë e të qenit nënë e vetme

Modelja bukuroshe Adrola Dushi është nënë single. Duke iu përgjigjur pyetjeve të fëmijët “Në Kurthin e Piter Pan”, Adrola tha se nuk është e lehtë të rrisësh një fëmijë vetëm, megjithatë ajo rrëfeu se një ndihmë të madhe i kanë dhënë edhe prindërit e saj.  

Adrola Dushi: Është shumë e vështirë. Është e vështirë që sot të rrisësh faktikisht fëmijë, nuk është aspak e lehtë në asnjë kuptim. Është ë vështirë psikologjikisht, emocionalisht, ekonomikisht. Por kur shikon një fëmijë para syve të tu, që të bën pafundësisht shumë krenare dhe ti e balancon dhe nuk e ndjen atë sakrificën, apo dhimbjen, apo frikën që ke për dhimbjen e tij. Nuk është aspak e lehtë dhe nuk do jetë kurrë e lehtë, por që merr një dashuri që nuk ka çmim.

Alketa Vejsiu: Të ndihmon nëna dhe babai apo jo për të rritur djalin?

Adrola Dushi: Mami dhe babi im janë dy njerëz që më kanë shpëtuar. Madje një ditë po u thoja po sikur t’ua marr Troin dhe babi më tha “ky po na jep jetë, ky po na mban në jetë”.

Alketa Vejsiu: Kështu që ti nëse vendos të zhvendosesh për shembull në Tiranë, në Prishtinë, kur të shohim të udhëtosh shpesh, çfarë do ndodhë me Troin, është pyetja kureshtare?

Adrola Dushi: Troi do të jetë me mamin e tij gjithmonë, deri kur ai të vazhdojë jetën e tij sigurisht. Troin nuk dua kurrë ta heq nga vetja. Realisht këto udhëtimet e mia për punë nuk janë aspak të lehta, as për mua, as për Troin, por të dy e dimë që të dy po bëjmë një sakrificë për të mirën tonë./tvklan.al