Karantinimi i detyrueshëm për udhëtarët që vijnë nga Afrika

Nga e mërkura nga ora 22.00 deri ora 05.00 e mëngjesit, në territorin e Maqedonisë së Veriut hyn në fuqi ora policore. Vendimi është marrë për shkak të rritjes së numrit të infektimeve të reja dhe të hospitalizuarve nëpër covid-qendrat e vendit për shkak të virusit britanik. Kryeministri Zoran Zaev bëri thirrje që maksimalisht të respektohen masat duke paralajmëruar inspektime të përforcuara.

“Vendimi është orë policore nga ora 22.00 deri ora 05.00 në mëngjes duke filluar nga nesër mbrëma 10 Mars deri më 22 Mars në orën 05.00 të mëngjesit, bëhet fjalë për dy javë jo të plota. Do ta ndjekim gjithë këtë proces. Padyshim kemi parasysh se diku kah Prilli, fillon Ramazani, fillojnë festat tjera dhe vendimi gjithashtu ka rol preventiv krahas rritjes së shifrave të infektimeve të reja.”

Në seancën e Qeverisë është miratuar dekreti për karantinimin e detyrueshëm të udhëtarëve që vijnë nga kontinenti afrikan.

“Në mënyrë plotësuese janë miratuar kufizime për karantinim të detyrueshëm shtëpiak për qytetarët tanë që kthehen nga Afrika dhe është ngarkuar Sekretariati i Përgjithshëm të sigurojë objekt për karantinë shtetërore për persona të huaj që vijnë nga Afrika”

Vendimi për orë policore edhe pse nuk ishte një befasi, shkaktoi reagime në opinion. VMRO-DPMNE-ja e quan jo të logjikshme këtë vendim.

“LSDM-ja gjatë ditës paralajmëron dhe zbaton regjistrimin e popullsisë, pasdite funksionarët e LSDM-së shkojnë nëpër shtëpi për të përditësuar anëtarësimin në parti që paraqet rrezik për infektime të reja, kurse në mbrëmje të ketë orë policore. Kjo është dyfytyrësi, rrezik për shëndetin publik dhe aspak e logjikshme”

Nga opozita shqiptare, kufizimin e lëvizjes e kanë vlerësuar si një përpjekje të Qeverisë për të mbuluar dështimet me sigurimin e vaksinës anti-covid.

“Me sa duket, kjo qeveri edhe një herë po dëshmon se nuk ka një strategji të mirëfilltë në luftën kundër virusit Covid 19, andaj joseriozitetin e saj në sigurimin e vaksinës Covid 19 dëshiron ta mbulojë më tallje të re me qytetarët e vendit. Kështu, në vend të imunizimit të popullatës, qeveria vendosë ta bëjë izolimin”

Vendimi për kufizimin e lëvizjes nuk do të vlejë për udhëtarët që shkojnë apo vijnë nga aeroportet Ndërkombëtare, të cilëve gjatë orës policore si leje për lëvizje do t`u pranohet bileta e udhëtimit.

Transportuesit që tranzitojnë nëpër Maqedoni të Veriut kanë për obligim që brenda tri orëve ta lëshojnë vendin përmes vendkalimeve kufitare. Qytetarët dhe kompanitë të cilët vitin e kaluar kishin leje lëvizjeje gjatë orës policore nuk do të duhet t`i ripërtrinë pasi do të vlejnë të njëjtat.

Klan News