Dhuna e karteleve në Meksikë nuk kursen as fëmijët e gratë shtatzëna

Një 6-vjeçar ishte në mesin e 48 të vrarëve në një valë të re të dhunës së karteleve në qendër të shtetit meksikan të Guanajuato, përgjatë fundjavës. Fëmija, emri i të cilit nuk u bë publik nga autoritetet, po hante darkë i ulur në një stendë në trotuar mbrëmjen e së shtunës, kur të paktën 10 persona hapën zjarr duke vrarë edhe nënën e tij shtatzënë, si dhe të atin.

E premtja që lamë pas, deri më tani mund të konsiderohet si dita më vdekjeprurëse për këtë vit, me të paktën 22 vrasje.

Në mesin e viktimave, 9 u vranë nga një grup personash të armatosur të cilën udhëtonin me tre makina. Ata hapën zjarr në një dyqan në qytetin e Villagran. 2 prej viktimave ishin punonjëse. Policia gjeti 6 të vdekur brenda një restoranti që ndodhej aty pranë. 3 persona të tjerë ndodheshin të shtrirë jashtë.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, masakra e së shtunës në mbrëmje ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes, me orën lokale në qytetin e Celaya. Autorët shkëmbyen zjarr me autoritetet për 15 minuta, duke lënë 8 persona të vdekur, përfshirë djalin dhe familjen e tij. Të shtënat i kushtuan jetën edhe një persona të moshuar që kishte shkuar për të blerë bukë në një dyqan të zonës.

Të shtëna pati edhe mëngjesin e së dielës, në një shtëpi në Leon. Aty policia gjeti 6 persona të qëlluar me armë zjarri, 5 prej të cilëve humbën jetën. Policia tha se masakra ndodhi brenda një banese e cila shërbente si magazinë për trafikantët e drogës së zonës. Autoritetet sekuestruan gjithashtu një sasi të papërcaktuar marijuane dhe një AK-47.

Lufta mes karteleve të drogës ka luajtur rol në vrasjen e të paktën 301 personave, të raportuara 26 ditët e para të 2020-s.

Të dhënat zyrtare tregojnë se një numër rekord prej 3 540 personash u vranë në Guanajuato në 2019-n, duke e shndërruar këtë shtet në më vdekjeprurësin në Meksikë./tvklan.al