Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte se është i sigurtë që në gjykatat e Shqipërisë po kryhet një krim nga gjykatësit dhe prokurorët.

Kreu i qeverisë u shpreh se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar Vettingun do të dalin përpara drejtësisë së re për të dhënë llogari.

“Dikush këtu më shkruan: Ma shpjegon dot çfarë bënë Vjola Cani më e korruptuara në Vlorë që po bën kërdinë? Nuk e di kush është Vjola Cani, i kërkoj ndjesë për nxjerrjen e emrit, por që ka sot, tani që flasim, ne po flasim dhe po bëhet një krim në një gjykatë të vendit.

Ju siguroj tani në këtë moment që në një gjykatë të vendit po kryhet një krim. Mund të jetë një dy tre pesë, por kryehen krime nga gjykatës që e dinë që nuk do i shpëtojnë Vettingut, ose mendojnë se do ti shpëtojnë drejtësisë. Sistemi nuk është ende i pastruar. Institucionet e reja, kanë filluar të strukturojnë punë e tyre. Këtu një ndërtim pa leje bën dhe të duhen vite. Jo të ngresh një shtet me ligje. Drejtësia e re do të fillojë të funksionojë siç e duam unë dhe të gjithë. Dhe do të jetë e prekshme, kur pas pastrimit të fillojë goditja e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që kanë dalë llum nga vettingu dhe duhet t’i thërrasë drejtësia dhe të thotë hajde këtu se duhet të shpjegosh çfarë janë këto”, tha Rama./tvklan.al