Këshilla e kryeministrit për bashkëpunëtorët: Rruga mvaron, nuk do ta jetoni sa shqiponjat

Në episodin e radhës të podcastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama ishte Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja imami i xhamisë së Xhurës. Në muajin e shenjtë të Ramazanit për myslimanët, Myftiu i Tiranës foli për efektet e agjërimit.

Bilal Teqja: Nëse e mendojmë besimin islam si një ndërtesë të bukur, ajo mbahet në 5 shtylla. E para, është fjala. Katër të tjera janë vepra, agjërimi, falja, axhi, zekati. Nga të gjithë adhurimet, agjërimi i Ramazanit është më interior, sepse kultivon sinqeritet, kultivon shpirtin e njeriut, që përmbledh kodet morale që ka njeriu në jetë. Është momenti më i mirë për të kuptuar se çfarë vlerash ke ti si njeri, çfarë mund të rregullosh, çfarë mund të japësh më shumë.

Teqja rrëfeu edhe si iu përkushtua besimit islam, që nga hera e parë kur hyri në xhami në moshën 12-vjeçare dhe gjatë gjithë periudhës së studimeve në shkollat fetare.

Vetë kryeministri Rama ndau një moment bashkëbisedimi me bashkëpunëtorët e tij, duke dhënë dhe mesazhe për të vlerësuar jetën.

Edi Rama:Kush e jeton jetën si udhëtar ka fatin të shijojë shumë se e di se rruga mbaron. Unë shpesh herë u them kolegëve e bashkëpunëtorëve! Ore jeni të informuar se rruga mbaron dhe nuk do të jetoni sa Shqiponjat?! Unë kam pasur probleme me zemërimin dhe reagimin por shyqyr Zotit inatin, atë ngarkesën e brendshme që të bën që të errësohen sytë apo të mos shohësh qartë apo të rrish me njërin si do ia kthesh e kam pasur gjithmonë më pak.

Në podcast, Rama citoi dhe profeti Muhamed për rëndësinë e leximit dhe dijes.

Edi Rama: Paqja e Zotit qoftë mbi të, që boja e shkrimit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i martirit.