Ndalohen vetëm udhëtarët me temperaturë mbi 37.5

Për të hyrë në terminalin e Portit të Durrësit, nëpërmjet të cilit kalojnë udhëtarët që lëvizin me traget, ata duhet të jenë të pajisur me maska dhe t’i nënshtrohen një protokolli sigurie.

Kamerat termike të vendosura në port masin temperaturën e pasagjerëve në distancë, ndërsa i njëjti protokoll ndiqet edhe në portet e Italisë.

Fahri Merollari, mjeku terminalit të pasagjerëve, thotë se të gjithëve atyre që hyjnë apo dalin nga ky port, i matet temperatura dhe në rast se është mbi 37.5  kërkohet ndalimi i tij duke ndjekur protokollet e mëtejshme shëndetësore.

“Pajisja qe shikoni e mat temperaturën në 3 -4 metra distancë. Edhe për qytetarët që kthehen në mëngjes e njejta procedurë. Nëse një person ka temperaturë të lartë përcillet në spital per t’iu bërë tamponi”.

Udhëtarët të cilët kanë prekur të dy shtetet, thonë se ashtu si në Durrës, edhe në portet e Italisë, i vetmi protokoll sigurie që ndiqet është matja e temperaturës.

Në Portin e Durrësit që prej rifillimit të lundrimit të trageteve nuk është konstatuar asnjë rast i dyshuar me simptoma të Covid-19 mes udhëtarëve që hyjnë apo dalin nga kjo pikë kufitare.

Tv Klan