Prej më shumë se 30 vjetësh në arsim, mësuesi Fran Gjini ka dhënë lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit. Tani në prag pensioni dhe pas publikimit të listës së pagave, Frani konstaton se rezulton si mësues agrobiznesi. Në këtë moment Frani i drejtohet redaksisë së emisionit “Stop” në Tv Klan, duke kërkuar ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Meqënëse jam në prag të pensionit dhe kam edhe 2 vite për të dalë në pension, unë mora indicien nga publikimi i të dhënave për pagat dhe hyra te adresa e-Albania për të parë nëse kanë kaluar rregullisht sigurimet shoqërore që të jem i përgatitur kur të vijë data e daljes në pension. Aty figuroj me siguracione të paguara si mësues agrobiznesi që në vitin 2011. Unë jam i emëruar në gjimnazin e Rrësheni si mësues i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe për shkollat e mesme. Lënda e agrobiznesit s’është fare në kurrikul sepse agronomia është mbyllur që në vitin 1993. Ky është absurd, unë me këtë pagë mbaj 5 frymë”, thotë mësuesi Fran Gjini.

Gazetarja e emisionit Stop, së bashku me mësuesin, iu drejtuan gjimnazit të Rrëshenit, për të kërkuar shpjegime mbi profilin e punës së Franit. Drejtoresha, e cila ka marrë këtë detyrë 2 muajt e fundit, thotë se Franin e ka mësues Gjuhë-Letërsie, por ajo nuk ka një ankesë për këtë çështje.

Gazetarja: A e ke dosjen e mësues Franit këtu?

Drejtoresha: Të gjithë mësuesve. Në qoftë se më ka ngritur një ankesë mësuesi në fjalë dhe unë nuk e kam shqyrtuar ankesën e tij, më keni pro. Unë nuk kam asnjë lloj ankese.

Denoncuesi: Ju sapo keni ardhur. S’keni faj ju.

Drejtoresha: Po! 2 muaj kam.

Gazetarja: A jepet lëndë agrobiznesi në këtë gjimnaz?

Drejtoresha: Pyete zotërinë!

Gazetarja: Çfarë profili jepni ju?

Drejtoresha: Unë, gjuhë-letërsi!

Denoncuesi: Tani e ka marrë detyrën.

Drejtoresha: Dhe njëherë, unë nuk kam asnjëlloj ankese nga personi në fjalë.

Gazetarja: Shkruaje një ankesë! Po çfarë zgjidhje do t’i japësh drejtoresha, që thua nuk kam ankesë, nuk kam ankesë? Franin si e njeh drejtoresha? E njeh si mësues agrobiznesi?

Drejtoresha: Pse si agrobiznesi e kam si mësues këtë unë? Unë e kam mësues gjuhë-letërsie në çdo lloj dokumentacioni.

Më pas, gazetarja dhe mësuesi shkuan në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Mirditë, ku takuam shefin e sektorit Renuar Kola. Ky i fundit u shpreh se e njeh mësues Franin, pasi i kishte dhënë edhe atij vetë Gjuhë-Shqipe. Problemin sipas tij, e kanë sigurimet shoqërore. Nga ana tjetër, financieri i zyrës e pranoi që është bërë një gabim dhe ai do të ndryshohet që nga viti 2011 e deri tani.

“Ky ka qenë mësues i imi, i lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Në sistemin e Zyrës Arsimore Mirditë profesori është i regjistruar si mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Sa na përket ne si Zyrë Arsimore dhe dosjen e profesorit që e kemi hedhur në sistem, ky rezulton si mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Tani gabimi që qenka hedhur atëherë, specialisti përkatës do bëjë shkresën dhe do i drejtohemi institucionit për ta rishikuar”, u shpreh shefi i sektorit në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Mirditë.

Pas ndërhyrjes së Stop, problemi i mësuesi Fran Gjini u zgjidh dhe do t’i ndryshohet  statusi nga mësues agrobiznesi në mësues i Gjuhës dhe Letërsisë. /tvklan.al