302 mijë persona që kanë marrë dozën e parë janë mbi 60 vjeç

Në mbarë vendin vijon vaksinimi anti-Covid për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Dozën e pare e kanë marrë rreth 14% e popullsisë, por imunizim të plotë ata do të arrijnë vetëm pasi të marrin edhe dozën e dytë.

Prej fillimit të procesit te vaksinimit janë kryer mbi 392 mijë doza të vaksinës ndaj COVID19, prej të cilave rreth 302 mijë janë të destinuara për persona mbi 60 vjeç. Ndërkohë që për të sëmurët kronikë kjo fashë është ulur edhe nën 60 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë garanton se procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar në të gjithë vendin.

Ajo që vihet re është se në ditët e fundit numri i personave që kryejnë injektimin në pikën e imunizimit masivë në sheshin ‘Skëndërbej’ ka rënë ndjeshëm. Qytetarët preferojnë më shumë të kryejnë vaksinën pranë qendrave shëndetësore.

Në vendin tonë kanë ardhur 703,550 vaksina anti-Covid, prej të cilave deri tani janë administruar 56% e tyre. Prej sasisë së dozave  të ardhura,500 mijë janë vaksina të kompanisë kineze Sinovac,124,800 janë Astra Zeneca, 68,750 janë doza të Pfizer.

Ndërsa 10 mijë janë të vaksinës ruse ‘Sputnik V’. Synimi i autoriteteve shëndetësore është që brenda muajit maj të marrin dozën e parë të vaksinës mbi 500 mijë qytetarë.

Klan News