Lerda: Nuk ka favoritë. Egbo: Duam maksimumin

Edhe pse Partizani dominon në vitet e fundit derbin e kryeqytetit për trajnerin italian Franco Lerda një sfidë e tillë nuk ka favoritë. Sipas tij gjithçka varet nga përgatitja psikologjike e futbollistëve për të ulur sa më shumë presionin që u vjen natyrshëm skuadrave.

“Mendoj se nuk ka skuadra favorite. Skuadrat duhen përgatitur sa më mirë psikologjikisht në mënyrë që të përballojnë ndeshjen. Skuadra e Partizanit ka një grup të pasur lojtarësh, sepse edhe kur kemi mungesa, nuk ka probleme.

Tekniku italian është munduar të shmangë pyetjet për kundërshtarin, duke vënë theksin vetëm te përgatitjet e skuadrës së Partizanit që duket se ka nxjerrë mësime pas humbjes me Bylisin.

“Ne duhet të përqendrohemi te skuadra jonë dhe ta përgatisim mirë. E kemi analizuar ndeshjen me Bylisin dhe ndaj Tiranës duhet të bëjmë maksimumin për ta kaluar këtë sfidë.”

Tek Tirana ende nuk janë qartësuar ujërat që u turbulluan në fillim të javës me largimin e trajnerit. Emanuel Egbo gjithsesi thotë se në derbi kjo nuk do të ndikojë.

“Është si ndeshje e radhës, por është derbi dhe ka shumë interesim. Nuk e shoh për objektivat, por si ndeshje që duhet fituar. Duam të marrim maksimumin. Jemi 6 pikë nga vendi i parë dhe do të futemi në fushë vetëm për të fituar”.

Edhe pse thuajse gjithë karrierën e tij në Shqipëri e ka kaluar tek Tirana, Egbo nuk ndjehet gati të marrë përgjegjësinë e trajnerit të parë.

“Nuk jam unë gati për të shkuar deri në fund të sezonit. Te Tirana ka nevojë për trajner me më shumë eksperiencë. Kam drejtuar Bylisin, por Tirana duhet të ketë një staf dhe sa të kalojmë këtë ndeshje, do të vendoset”.

Tirana nuk fiton që nga viti 2013 në derbi ndaj Partizanit, ndaj kërkon kthesën e madhe. Është radha e Egbosë për të provuar fatin në drejtim të bardhebluve.

Tv Klan