Në prag të sfidës së Shqipërisë ndaj San Marinos, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, në një konferencë zyrtare për shtyp ka dalë trajneri Edi Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj.

Tekniku Italian komentoi  humbjen me Angline si dhe zbuloi se në San Marino do të luajnë lojtarët më të denjë dhe në formë, teksa theksoi se ka 28 lojtarë në dispozicion.

“Mund të them se bëmë një ndeshje të mirë ndaj një rivali si Anglia. Luajtëm mirë në mbrojte. Nuk dolëm dot siç donim, pasi ishim përgatitur ndryshe, për t’i kapur në kundërsulme. Anglia nuk bëri ndonjë gjë të madhe, por siç e dimë, kanë lojtarë me kualitet dhe e zgjidhin ndeshjen.

San Marino është një skuadër e organizuar, nuk i nënvlerësojmë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë mund t’iu them se në fushë do të futen lojtarët që janë më në formë. 

Kam 23 lojtarë, në të cilët mund të mbështetem. Strakosha do të jetë në portë në këtë sfidë, ndërsa Gjimshiti mund të na ndihmojë edhe për të sulmuar.

Kemi rënë në një grup shumë të vështirë, por jemi një skuadër që po rritemi dhe mund të bëjmë mirë, duhet ta tregojmë edhe ndaj Anglisë, Polonisë dhe Hungarisë,” u shpreh Reja.

Ndërsa Kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj tha se humbja me Anglinë nuk i bëri përshtypje kuqezinjve pasi dihej se do të ishte një sfidë e vështirë përballë tyre, teksa mbrojtësi u shpreh se sfida e radhës ndaj San Marinos është më e vështirë për të.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë eliminatore për Botërorin “Katar 2022” përballë San Marinos, në fushën e tyre të mërkuren në orën 20:45.

Klan News