Tetë muaj pas emërimit në krye të Hipotekës së Shkodrës, Zamir Leka është arrestuar me dyshimin se është i përfshirë në afera korruptive. Zyrtarisht nuk janë dhënë detaje, por burime nga organi i akuzës thanë se Lekës i janë vënë prangat teksa ndodhej në zyrë.

Bashkë me të mësohet se është ndaluar edhe një punonjëse e Hipotekës, Frida Mirashi. Teksa përshëndeti arrestimin, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se koordinimi mes institucioneve ka rritur forcën goditëse të shtetit ndaj zyrtarëve të korruptuar.

“Jo vetëm ky rast, një sërë operacionesh të finalizuara me sukses ditët e fundit janë frut i bashkëpunimit midis strukturave antikorrupsion, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Të njëjtën vendosmëri dhe bashkëpunim do të duhet të demonstrojmë edhe në një sërë veprimesh të tjera të nisura tashmë, për të goditur pa asnjë tolerim, këdo që do të kryejë akte korruptive apo do të abuzojë me detyrën”.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës  lëshoi urdhër-ndalimi edhe për ish-juristin e Hipotekës Mirjam Bletaj dhe dy persona të tjerë të cilët i kishin premtuar përshpejtimin e regjistrimit të pronës një shtetasi kundrejt 1 mijë Eurove.

Tv Klan