kambisti

Policia ka zbardhur vjedhjen dhe plagosjen me armë të kambistit Artur Çepele të premten e kaluar në Fier. Blutë kanë vënë në pranga një nga autorët dhe një nga bashkëpunëtorët.

Specialistët e Drejorisë së Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë arritën të dokumentonin se pas kësaj ngjarje qëndronte shtetasi Kreshnik Berisha 34 – vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Ai rezulton i dënuar me 15 vite burg për akuzën e grabitjes me armë. Berisha ishte liruar me kusht nga gjykata në vitin 2014, pasi kishte kryer 10 vite burg.

Gjithashtu në pranga ka përfunduar dhe Dritëro Lajthia. 43 – vjeçari konsiderohet bashkëpunëtor në këtë vjedhje, pasi sipas policisë, kishte siguruar automjetin me të cilin Berisha dhe një tjetër person kryen grabitjen.

Nga hetimet ka rezultuar se dy autorët e ndoqën nga pas kambistin nga Tirana në Fier. Pas grabitjes ata u larguan me një automjet, që e braktisën në fshatin Verri, ku i vunë flakën për të humbur gjurmët.

Dëshmitë e dy të arrestuarve janë të rëndësishme për hetimin, pasi shpresohet të identifikohen dhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë ngjarje.

Artur Çepele u sulmua sapo zbriti nga një furgon për të marre makinën e tij, në rrugën Fier – Mbrostar. Personat e maskuar i drejtuan armën dhe i morën çantën ku mbante 81 milion lekë të vjetra.

Tv Klan