Raportim Live
13:16, 27 Shtator 2024

Në këto momente, Ervin Salianji ka dalë në një konferencë për gazetarët.

Ai u shpreh se është dënuar politikisht, “me urdhër të Fatmir Xhafajt dhe porosi të Edi Ramës”.

12:53, 27 Shtator 2024

Del urdhri për arrestimin e Ervin Salianjit, do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme

Ky është urdhri që ka firmosur prokurorja Elona Alvora për ekzekutimin e vendimit ndaj Ervin Salianjit, i cili është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit.

Për shkak se Salianji mban statusin e deputetit, urdhri i është dërguar edhe Kuvendit të Shqipërisë. Të tjera institucione që e kanë marrë urdhrin janë edhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. Kjo e fundit është ngarkuar për arrestimin e Salianjit.

Po ashtu në shkresë thuhet se Ervin Salianji do ta kryejë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.

Ndërkohë në orën 13:00, Partia Demokratike ka njoftuar se Ervin Salianji do të mbajë konferencë me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike.

12:24, 27 Shtator 2024

Procedura për arrestimin e Ervin Salianjit

Procedura për arrestimin e Ervin Salianjit

Ervin Salianji u dënua dje me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm dhe pritet që deputeti të arrestohet.

Por cila është procedura që ndiqet dhe në çfarë faze ndodhet aktualisht?

Fillimisht u zgjodh prokurorja Elona Alvora për të ekzekutuar vendimin. Ajo shqyrtoi vendimin e shkurtuar mbi Salianjin dhe siç mëson gazetarja Glidona Daci e ka firmosur atë duke ia dërguar institucioneve përkatëse.

Firma e saj ia delegon Policisë së Tiranës mandatin e ekzekutimit të arrestit të Ervin Salianjit.

Më pas efektivët e policisë do të vihen në lëvizje për të bërë verifikimet me qëllim identifikimin e vendbanimit të deputetit Ervin Salianji.

Uniformat blu do t’ia bëjnë me dije deputetit Ervin Salianji urdhrin dhe më pas do ta shoqërojnë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Aty ai do të qëndrojë deri kur të bëhen procedurat e tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të caktuar se në cilin institucion do ta vuajë dënimin.

11:53, 27 Shtator 2024

Salianji: Asgjë nuk është mbyllur, përpjekja nën brez e tyre nuk do na ndalojë

Salianji: Asgjë nuk është mbyllur, përpjekja nën brez e tyre nuk do na ndalojë

Ervin Salianji

Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj tij. Ai thekson se dënimi i tij është moment i vështirë për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Megjithatë thekson se asgjë nuk është mbyllur dhe se atë që e konsideron si “përpjekje të ulët nën brez” nuk do ndalojë demokratët në një përpjekje për ta bërë më të mirë Shqipërinë.

“Po duhet t’ju them se asgjë, asgjë nuk është mbyllur. Është një përpjekje e ulët nën brez e tyre, që nuk do na ndalojë, nuk do na shkurajojë në përpjekjen tonë të madhe për një Shqipëri më të mirë. Teksa sot po bëhen gati të zbatojnë urdhrin e Edi Ramës, vendimin e tij për të më izoluar, dhe të çojnë deri në fund përndjekjen politike, ata kurrë nuk do ja dalin të vendosin si normë se denoncimi i krimit, qenka faj. Nuk do ja dalin kurrë ta vendosin rend, heshtjen e mbylljen e gojës. Dhe për këtë garancia e madhe jeni ju, demokratët e guximshëm, qytetarët e lirë që më keni mbështetur në gjithë këto vite”, shprehet Salianji… Lexo më shumë

11:52, 27 Shtator 2024

Grupi i PD, padi në SPAK ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj

Grupi i PD, padi në SPAK ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj

Fatmir Xhafaj

Ashtu siç ishte paralajmëruar, grupi i PD po përgatit një padi për në SPAK, ndaj ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Siç raporton gazetari i Klan News Enkel Xhangoli, demokratët kërkojnë hetim pasuror ndaj tij si subjekt i ligjit antimafia.

Përpos kësaj e akuzojnë për falsifikim, pengim të së vërtetës dhe shpërdorim detyre… Lexo më shumë

11:31, 27 Shtator 2024

Këshilli i Mandateve nuk mblidhet për Salianjin

Më herët raportuam për shkresën që Partia Demokratike i bëri kryeparlamentares Elisa Spiropali për mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve. Sipas letrës që mbante firmën e Gazment Bardhit, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e Salianjit pa autorizim të Kuvendit.

Por siç raportoi tashmë gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet këtë të premte në lidhje me këtë çështje.

Kjo duket se i hap rrugë arrestimit të Ervin Salianjit.

11:24, 27 Shtator 2024

Po ju sjellim në vëmendje se mbrëmjen e së enjtes Ervin Salianji ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan. Ai tha se është dënuar pas asnjë provë dhe fakt.

Ai bëri të ditur gjithashtu nuk do t’i shmanget vuajtjes së dënimit dhe se gjatë ditës së sotme kishte komunikuar me autoritetet për t’u paraqitur vetë në Polici.

Për më shumë ju ftojmë që të shikoni videon e emisionit “Opinion”:

11:15, 27 Shtator 2024

PD shkresë Spiropalit: Salianji nuk mund të arrestohet pa autorizimin e Kuvendit

PD shkresë Spiropalit: Salianji nuk mund të arrestohet pa autorizimin e Kuvendit

Grupi paralementar i Partisë Demokratike ka bërë kërkesë për mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në shkresën zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, thuhet se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit Tiranë për 1 vit heqje lirie ndaj deputetit Ervin Salianji cenon mandatin e tij.

Bardhi thekson se Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e Salianjit pa autorizim të Kuvendit.

“Sipas nenit 73, pika 2, deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”, thuhet në shkresë… Lexo më shumë 

11:12, 27 Shtator 2024

Gjykata e Apelit: Vendimi u mor në unanimitet

Gjykata e Apelit: Vendimi u mor në unanimitet

Gjykata e Apelit të Tiranës

Vendimi ndaj Ervin Salianji dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me çështjen “Babalja” u mor në unanimitet nga gjyqtarët e Apelit të Tiranës. Kështu ka njoftuar këtë të premte Gjykata e Apelit e cila thotë:

“Nisur nga disa kërkesa lidhur me vendimin e djeshëm (çështja ndaj të pandehurve Ervin Salianji, etj.), ju njoftojmë se vendimi është marrë në unanimitet”… Lexo më shumë

11:11, 27 Shtator 2024

Reagimet për vendimin

Reagimet për vendimin

Kryesia e Partisë Demokratike

Një vendim i tillë ka sjellë padiskutim reagime të shumta nga opozita dhe mazhoranca. Partia Demokratike e konsideron vendimin politik. Kryedemokrati Sali Berisha tha se Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatmir Xhafaj (Lexo më shumë).

Edhe Gazment Bardhi e dënoi vendimin e Apelit duke theksuar se është hera e parë në 34 vite që dikush shkon në burg për kallëzim të rremë (Lexo më shumë).

Ndërsa sa i përket mazhorancës socialiste ka reaguar vetë Rama. Vendimin e ka konsideruar “si një ditë të mirë për të vërtetën”. (Lexo më shumë)

Pas reagimeve të para, në orët e mbrëmjes Partia Demokratike mblodhi kryesinë e saj. Aty u caktua që më 6 Tetor të mbahet një protestë pas vendimit ndaj Salianjit. Vendi, forma dhe mënyra si do të organizohet nuk janë përcaktuar ende (Lexo më shumë).

Ndërkohë burime nga mbledhja e kryesisë për gazetarin Enkel Xhangoli bënë me dije se është propozuar që të kalohet në radikalizim të tyre duke bllokuar rrugë, porte dhe aeroporte (Lexo më shumë).

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe vetë Salianji, kryetari i selisë blu, Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, e cilësoi vendimin “një luftë të hapur dhe hakmarrje primitive që Rama i ka shpallur PD-së”.

11:03, 27 Shtator 2024

Gjykata e Apelit e dënoi me burg, pritet arrestimi i Ervin Salianjit (Të gjitha zhvillimet)

Gjykata e Apelit e dënoi me burg, pritet arrestimi i Ervin Salianjit (Të gjitha zhvillimet)

Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për çështjen “Babale”. Vendimi është i ekzekutueshëm që do të thotë se pritet që ai të arrestohet.