Raportim Live
14:01, 27 Shtator 2024

I bindur se dënimi i tij është politik, deputeti demokrat Ervin Salianji, në konferencën për shtyp me gazetarët si paralelizëm mori fakti se as Durim Bami nuk ishte dënuar për kallëzim të rremë.

“Edhe Durim Bami nuk u dënua për kallëzim të rremë. E keni parasysh ju kush është Durim Bami? Akuzohej për kallëzim të rremë dhe nuk u dënua”, tha Salianji.

Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit në lidhje me çështjen që njihet si “Babalja”.

13:50, 27 Shtator 2024

Vendimi i dënimit, Salianji: Kam komunikuar që dje me prokurorinë dhe policinë

Ervin Salianji zhvilloi një konferencë për mediat këtë të premte teksa është në pritje të arrestimit.

Teksa edhe sot e pranon që sot është dita e fundit e lirisë për 1 vit dhe pyetja lind si do të arrestohet, pra a do të shkojë vetë në polici, apo do të presë efektivët?

Salianji iu përgjigj gazetarëve se vendimmarrjen për këtë çështje do ta marrë pasi të dëgjojë kolegët e tij demokratë të cilët kanë mbledhur grupin parlamentar.

“Në lidhje me vendimmarrjen nëse do të jem këtu apo do shkoj aty jemi duke diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar dhe ka qëndrime të ndryshme nga kolegët të cilët do ti dëgjoj dhe më pas do të marrim një vendim”, u shpreh ai.

E për t’i shërbyer më shumë kësaj çështje, Salianji thotë se ka komunikuar që dje me drejtuesin e prokurorisë dhe të policisë duke ironizuar sipas tij, nxitimin për ta vënë në pranga.

“Unë kam komunikuar që dje qoftë me drejtuesin e prokurorisë, apo policisë për t’ju thënë që jam gati. Për t’i ndihmuar sepse këta nuk të gjejnë dot. I keni parë ju si gjithë grupet kriminale, del urdhërarresti nga SPAK vetëm letra u mbetet në dorë, njerëzit u ikin. Unë nuk hyj nga ata, unë hyj te ata që përballen”, tha Salianji.

Sipas tij, është shkelur procedura pasi nuk është zbardhur ende vendimi i Gjykatës së Apelit… Lexo më shumë

13:50, 27 Shtator 2024

Në konferencën për shtyp Ervin Salianji iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse kishte komunikuar me ndërkombëtarët.

“Me të gjithë. Për qëndrimet e partnerëve unë mendoj që shprehen ata vetë. Nuk kam asnjë tagër për të komunikuar me publikun. Unë flas për qëndrimin tim. Për qëndrimet e tjera secili komunikon dhe flet vetë. Ne kemi informuar të gjitha kancelaritë, ambasadat, kemi dërguar dokumentet zyrtare të kësaj çështje. Kemi dërguar të gjithë dosjen e manipulimit. Do shohim këtu do jemi dhe do komunikojmë prap”.

13:49, 27 Shtator 2024

Deputeti Salianji deklaroi nga selia blu se ai i ka mbledhur të gjitha provat për të dorëzuar në SPAK kallëzimin për hetim pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

13:33, 27 Shtator 2024

Salianji: Nuk po shkoj në burg si kallëzues i rremë, por si model i ri politikani

Salianji: Nuk po shkoj në burg si kallëzues i rremë, por si model i ri politikani

Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka mbajtur një konferencë për shtyp këtë të Premte, teksa pritet që të ekzekutohet urdhërarresti ndaj tij. Ai risolli në kujtesë denoncimin për çështjen e njohur si “Babalja” në vitin 2018 duke thënë se në atë kohë për rreth 3 ditë, nuk pati asnjë reagim nga qeveria.

“Vendimin e mori, kënaqësi mori, burgun e dha, hoqi mundësinë për të garuar në zgjedhjet e 2025-ës. Frikën e qetësoi, pse ishte kaq i tërbuar Edi Rama dje, çfarë e shqetëson? Pas publikimit të këtij denoncimi, si Agron Xhafaj, trafikant ndërkombëtar si vëllai i tij dhe kryeministri Rama nuk reaguan për 3 ditë me radhë. U fshehën dhe pavarësisht deklaratave të vazhdueshme nga selia e PD për përgjegjësi publike për rastin, ka pasur 0 reagim. Afërmendsh që në rast se do ishte diçka e rreme, do dilnin e do thonin që personi në atë audio nuk jam unë, nuk ndodhi kjo, por ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk bëri hetim penal, duke e lënë trafikantin të largohej nga Shqipëria, e përgënjeshtroi zërin me shkrim. Pasi e bënë gjithë projektin se si do montohej kjo çështje, dolën në deklarim publik.”Lexo më shumë

13:16, 27 Shtator 2024

Në këto momente, Ervin Salianji ka dalë në një konferencë për gazetarët.

Ai u shpreh se është dënuar politikisht, “me urdhër të Fatmir Xhafajt dhe porosi të Edi Ramës”.

12:53, 27 Shtator 2024

Del urdhri për arrestimin e Ervin Salianjit, do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme

Ky është urdhri që ka firmosur prokurorja Elona Alvora për ekzekutimin e vendimit ndaj Ervin Salianjit, i cili është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit.

Për shkak se Salianji mban statusin e deputetit, urdhri i është dërguar edhe Kuvendit të Shqipërisë. Të tjera institucione që e kanë marrë urdhrin janë edhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. Kjo e fundit është ngarkuar për arrestimin e Salianjit.

Po ashtu në shkresë thuhet se Ervin Salianji do ta kryejë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.

Ndërkohë në orën 13:00, Partia Demokratike ka njoftuar se Ervin Salianji do të mbajë konferencë me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike.

12:24, 27 Shtator 2024

Procedura për arrestimin e Ervin Salianjit

Procedura për arrestimin e Ervin Salianjit

Ervin Salianji u dënua dje me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm dhe pritet që deputeti të arrestohet.

Por cila është procedura që ndiqet dhe në çfarë faze ndodhet aktualisht?

Fillimisht u zgjodh prokurorja Elona Alvora për të ekzekutuar vendimin. Ajo shqyrtoi vendimin e shkurtuar mbi Salianjin dhe siç mëson gazetarja Glidona Daci e ka firmosur atë duke ia dërguar institucioneve përkatëse.

Firma e saj ia delegon Policisë së Tiranës mandatin e ekzekutimit të arrestit të Ervin Salianjit.

Më pas efektivët e policisë do të vihen në lëvizje për të bërë verifikimet me qëllim identifikimin e vendbanimit të deputetit Ervin Salianji.

Uniformat blu do t’ia bëjnë me dije deputetit Ervin Salianji urdhrin dhe më pas do ta shoqërojnë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Aty ai do të qëndrojë deri kur të bëhen procedurat e tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të caktuar se në cilin institucion do ta vuajë dënimin.

11:53, 27 Shtator 2024

Salianji: Asgjë nuk është mbyllur, përpjekja nën brez e tyre nuk do na ndalojë

Salianji: Asgjë nuk është mbyllur, përpjekja nën brez e tyre nuk do na ndalojë

Ervin Salianji

Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj tij. Ai thekson se dënimi i tij është moment i vështirë për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Megjithatë thekson se asgjë nuk është mbyllur dhe se atë që e konsideron si “përpjekje të ulët nën brez” nuk do ndalojë demokratët në një përpjekje për ta bërë më të mirë Shqipërinë.

“Po duhet t’ju them se asgjë, asgjë nuk është mbyllur. Është një përpjekje e ulët nën brez e tyre, që nuk do na ndalojë, nuk do na shkurajojë në përpjekjen tonë të madhe për një Shqipëri më të mirë. Teksa sot po bëhen gati të zbatojnë urdhrin e Edi Ramës, vendimin e tij për të më izoluar, dhe të çojnë deri në fund përndjekjen politike, ata kurrë nuk do ja dalin të vendosin si normë se denoncimi i krimit, qenka faj. Nuk do ja dalin kurrë ta vendosin rend, heshtjen e mbylljen e gojës. Dhe për këtë garancia e madhe jeni ju, demokratët e guximshëm, qytetarët e lirë që më keni mbështetur në gjithë këto vite”, shprehet Salianji… Lexo më shumë

11:52, 27 Shtator 2024

Grupi i PD, padi në SPAK ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj

Grupi i PD, padi në SPAK ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj

Fatmir Xhafaj

Ashtu siç ishte paralajmëruar, grupi i PD po përgatit një padi për në SPAK, ndaj ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Siç raporton gazetari i Klan News Enkel Xhangoli, demokratët kërkojnë hetim pasuror ndaj tij si subjekt i ligjit antimafia.

Përpos kësaj e akuzojnë për falsifikim, pengim të së vërtetës dhe shpërdorim detyre… Lexo më shumë

11:03, 27 Shtator 2024

Gjykata e Apelit e dënoi me burg, pritet arrestimi i Ervin Salianjit (Të gjitha zhvillimet)

Gjykata e Apelit e dënoi me burg, pritet arrestimi i Ervin Salianjit (Të gjitha zhvillimet)

Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për çështjen “Babale”. Vendimi është i ekzekutueshëm që do të thotë se pritet që ai të arrestohet.