27 bukuroshet kanë nisur turin e tyre në Shqipërinë e Mesme

Edicioni i 24-t i Miss Shqipëria tashmë ka nisur shtegtimin drejt finales së madhe që do mbahet në Himarë në kalanë e Porto Palermos .Sipas programit të mirëpërcaktuar nga organizatorët e “Deliart” pas përfundimit të setit fotografik të revistës zyrtare, bukuroshet janë bërë pjesë integrale e eventeve në kuadrin e Kryeqytetit Rinor Europian të Tiranës. Ato u pritën me duartrokitje e entuziazëm në “Color Day Festival” në sheshin “Nënë Tereza” disa ditë më parë nga të rinjtë e shumtë.

Një ditë më pas morën pjesë në një sfilatë prezantimi shik në një nga baret e njohura në kryeqytet e më pas duke iu bashkuar supereventit të organizuar nga Drejtoria e Transportit Rrugor te “Panairi i Automotive” ku linjat e mrekullueshme të makinave Retro u zbukuruan akoma më shumë nga hiret e 27 bukurosheve finaliste të Miss Shqipëria 2022.

Një binom historikisht i pandashëm; femra e bukur dhe automobilat janë bërë për njëra-tjetrën.

Vajzat kanë lënë zyrtarisht Tiranën për të filluar turin e Shqipërisë së Mesme duke udhëtuar drejt resortit pritës në një udhëtim komod me autobusin zyrtar të eventit. Tashmë kanë nisur dhe regjistrimet e programeve “Në Pritje Të Miss Shqipëria 2022” të cilat do të fillojnë transmetimet në Klan Plus prej datës 28 Qershor e ku publiku do ketë mundësi t’i njohë vajzat më mirë e të votojë të preferuarën e tij nëpërmjet webit zyrtar www.misshqiperia.com.

Klan News