26 vajza në spektaklin e shtëpisë muze të Kongresit të Lushnjes

Vetëm 4 ditë e ndajnë garën më të madhe të bukurisë Shqiptare nga finalja e madhe. Pas një turi në zonat e Tiranës dhe Golemit, delegacioni i Miss Shqipëria është stacionuar tashmë në qytetin mikpritës të Lushnjes, aty ku dhe do të përjetojnë emocionet e fundit të kompeticionit.

Shtëpia muze e Kongresit të Lushnjes, që për një natë do të kthehet në një pasarelë të vërtetë ishte pikë ndalimi i parë i 26 vajzave bukuroshe dhe stafit organizues, të cilët u pritën nga kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Fatos Tushe.

Jo vetëm më shumë emocione, por edhe më shumë impenjim. Orët e fundit do t’i shohin konkurrentet më shumë se kurrë në intensitetin e provave, nën udhëheqjen e koreografes Olta Ahmetaj e syve kureshtarë të qytetarëve lushnjarë.

Me një spektakël në kushte të jashtëzakonshme e po aq i jashtëzakonshëm në organizim, as këtë vit Miss Shqipëria nuk do t’i ndahet traditës për të sjellë veç të bukurës, edhe vlerat historiko-kulturore të vendit tonë.

Tv Klan