Qeveria e Kosovës ka shuar Departamentin Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës, por nuk dihet se kur do të formohet një departament i ngjashëm.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të premten në një konferencë për media se organogrami i ri i policisë do të përgatitet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, ai nuk ka treguar se kur do të nisë puna në këtë drejtim.

“Plani ynë është i qartë lidhur me këtë Task-Forcë. Pa asnjë interferim task-forca do të vazhdojë punë e vetë me të gjitha çështjet që i ka pasur në shqyrtim”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se bashkëpunimi i policisë me Prokurorinë Speciale është duke vazhduar për të gjitha çështjet që lidhen me Task-Forcën.

Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Albana Rexha, analiste e lartë e politikave në organizatën Demokraci Plus, organizatë kjo që pos tjerash ka për qëllim rritjen e llogaridhënies dhe ndikimi në proceset e vendimmarrjes, thotë se shuarja e Task-Forcës është bërë në mënyrë ad-hok.

“Tash nuk ka një plan të saktë në aspektin kohor, njerëzor e financiar se me çfarë mekanizmi dhe për sa kohë do të zëvendësohet kjo Task-Forcë apo ky departament. Vlerësoj se i kemi disa nivele të humbësve, nëse mund ta quaj ashtu, fillimisht vlerësoj se ky vendim i shuarje së Task-Forcës shkon në dëm të sundimi të ligjit dhe në dëm të gjithë neve si qytetarë, të cilët në mënyrë aktive e luftojnë këtë dukuri në çdo nivel dhe në çdo formë, duke avokuar politika të ndryshme”, tha Rexha për Radion Evropa e Lirë.

Rexha thotë se shuarja e Task-Forcës do të shkojë edhe në dëm të imazhit të Kosovës, sa i takon përkushtimit politik për ta luftuar korrupsioni.

“Kjo shuarje do të vlerësohet negativisht në raporte e ardhshme ndërkombëtare. Shuarja e kësaj force mund të ndjellë frikë te mekanizmat e tjerë të cilët ekzistojnë në Kosovë, të cilët bëjnë luftimin e korrupsionit në forma të ndryshme. pasi që të njëjtit mund të mendojnë se nëse bëjnë hetimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë, mund që puna e tyre të vështirësohet”, tha ajo.

Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shprehet se me shuarjen e Task-Forcës, humbje mund të ketë në disa drejtim. Një nga ato humbje, siç thotë ai, është se Prokuroria Speciale e Kosovës, mund të mos i ketë më policët e trajnuar për të hetuar rastet e dyshuar të korrupsioni në nivel të lartë.

“Qeveritë tonë kanë ditur të jenë të ngathëta në këtë aspekt edhe kanë mundur të vazhdojnë me vite për të mos krijuar diçka që është lehtë të krijohet. Nëse kujtojmë në Kodin e parë të Procedurës Penale e kemi pasur policinë gjyqësore, ndërsa më vonë është hequr me kodin e ri dhe kurrë nuk është krijuar ajo polici”, tha Spahija.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se për dhjetë vjet të funksionimit të Task-Forcës, bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në trajnime të zyrtarëve të këtij departamenti, prandaj shuarja e tij, thotë ajo, pa ndonjë konsultim, lë shumë për të dyshuar.

“Ata që më shumë humbin me shuarjen e Task-Forcës Anti-Korrupsion janë qytetarët e Kosovës. Mendoj se shuarja e këtij departamenti do të përdoret edhe nga BE-ja, sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave. Ndërkaq dihet se të vetmit përfitues do të jenë ata politikanë të korruptuar, të cilët siç po raportohet në media, kanë qenë pjesë e hetimit nga kjo Task-Forcë për keqpërdorime të ndryshme”, tha Demolli.

Qeveria e Kosovës më 19 tetor kishte vendosur të mbyllë këtë departament, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Kryeministri Hoti ka thënë po ashtu se një nga arsyet e tjera pse është marrë vendimi për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, është se ‘brenda Policisë së Kosovës janë krijuar struktura joligjore’.

Misioni i EUELX-it thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shfuqizuar Departamentin kundër korrupsionit, ngreh shqetësime serioze në lidhje me zotimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin.

Ndryshe, korrupsioni në Kosovë me vite është identifikuar si njëri nga problemet kryesore në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë./REL