Në fund të Qershorit njëra korsi e rrugës së By Pass-it të Fierit do të jetë e hapur për kalimin e automjeteve. 240 punonjës të kompanisë janë angazhuar që punimet të përfundojnë në kohë, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar po monitoron ecurinë e grafikut të tyre.

 “Aktualisht kompania po punon nën grafikun e miratuar nga ARRSH dhe jemi duke monitoruar çdo ditë punimet e kryera nga kontraktori”.

Aktualisht po punohet për ndërtimin e tre urave, atë të Hoxharës, Semanit dhe Pojanit.

“Në 10 Prill do të hedhim konstruksionin metalik të urës së Semanit dhe në datën 22 Prill, sipas grafikut të miratuar edhe nga supervizori, do të hedhim urën e Hoxharës. Janë ura të prodhuara në Itali, të ardhura, aktualisht janë gjendje stoku në kantier, dhe po montohen trarët në tokë fillimisht”.

Një muaj më parë kompania ishte në fazën e mbushjes me gurë së shtresës së rrugës, ndërsa tani ka nisur hedhjen e asfaltit.

 “Është e rëndësishme, që ne t’i qëndrojmë premtimit që kemi bërë. Deri në 30 qershor kjo rrugë të jetë e hapur për mjetet e tonazhit të lehtë, pra që janë autobusët dhe automjetet e vogla. Nuk do jetë e hapur për kamionët dhe në 30 qershor premtimi do të mbahet”.

Ndërtimi i Pass-it të Fierit shkurton rrugën që lidh Fierin me Vlorën përmes një autostrade 22 kilometra të gjatë. Punimet për ndërtimin e tij nisën në 2011-ën, por ecuria e ngadaltë e tyre bëri qeveria të prishë kontratën dhe te ritenderojë projektin. Punimet kanë 4 muaj që kanë rinisur, ndërsa planifikohet që rruga të përfundojë e plotë në fund të vitit.

Tv Klan