Konceptet e dy partnereve kryesorë të koalicionit janë gati, por ndryshimet assesi të ndodhin.

Kryeministri Zoran Zaev, e paralajmëroi “fshesën” para tre javëve, e sot tha se me plan konkret për ndryshimet do të dalë kah mesi i muajit të ardhshëm.  

“Këtë periudhë do ta shfrytëzoj për konsultimet finale, besoj që në fillim të Qershorit do të dal me të gjitha ndryshimet në strukturat udhëheqëse në nivel ministror, në institucionet shtetërore dhe besoj që deri në fund të Qershorit do të ketë ndryshime edhe në vijë vertikale, në nivele komunale ku Qeveria ka disa institucione. Paralelisht, unë si kryetar i LSDM-së do të duhet të bëj disa ndryshime edhe në partinë time”, tha Zaev.

“Pritet takimi mes liderëve që të bisedojnë për shkëmbimin e ideve rreth këtyre dy koncepteve dhe që të riformatojnë qeverinë në vijë të rifokusimit të prioriteteve të reja pas mbylljeve të temave politike, ku fokus do të jetë ekonomia dhe zhvillimi ekonomik”, tha zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

E sipas Kryeministrit, takimi pritet të ndodhë në ditët në vazhdim. Kryeministri nuk foli me emra konkretë, se kënd po mendon ta shkarkojë, por tha që funksionarët që nuk i kanë përmbushur premtimet, ata që kanë përdorur pozitën për të punësuar familjarë të tyre do të largohen.

Kryeministri edhe një herë potencoi se bëhet fjalë për rikonstruksion të kabinetit qeverisës, por shumica parlamentare do të mbetet ajo që është.

Tv Klan