“Opinion” ka qenë në lokalin e Zef Tucit, një mirditor, i cili arriti të blejë tokë në lagunën e Patokut dhe ka ngritur një restorant që vizitohet shumë nga të huajt. Ai ka treguar për gazetarin Blendi Fevziu rrugëtimin e tij në këtë zonë e po ashtu edhe një version të kulinarisë në Patok.

Tuci shprehet se restorantin që ai drejton e frekuentojnë më shumë shqiptarët. Ai shton se 40% e turistëve që vijnë në restorant janë të huaj, mes të cilëve edhe izraelitë.

“Ka 13 vjet që punoj vetë personalisht, të gjitha i bëj me gjithë punëtorët. Ky vit ka qenë shumë i mirë. Më shumë shqiptarë kemi pasur. Të huajt 40%, janë me kombësi italiane, grekë, gjermanë, izraelitë.”

Zef Tuci ka treguar specialitetet e restorantit të tij, ku ka veçuar “karkalecin patate”.

Zef Tuci: Specialitet kemi të gjitha prodhimet e peshkut të lagunës dhe një pjesë të detit. Këto janë prodhimet e detit.

Blendi Fevziu: Punoni dhe me krudot?

Zef Tuci: Po. Në Adriatik janë 2 lloj karkalecash, i bardhi dhe tigri. Ky është karkalec i bardhë, në gjuhën popullore, quhet “karkalec patate”. Ky është shumë i shijshëm.

Blendi Fevziu: Si mo, “karkalec patate”? Të vij ta shikoj se “karkalec patate” nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë.

Zef Tuci: Atje nga Kavaja e quajnë “patate”.

Blendi Fevziu: Është i shijshëm ë?

Zef Tuci: Do ta provojmë.

Gjatë vizitës së Patok, gazetari Blendi Fevziu ka takuar një çift holandezësh që kanë vizituar Shqipërinë, të cilët kanë treguar eksperiencën e tyre në vendin tonë./tvklan.al