Eduart Merkaj: Masa të shtuara për përballimin e fluksit gjatë sezonit turistik i cili është vënë re në çdo pikë kufitare

Shtohet fluksi i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri. Vetëm në Aeroportin e Rinasit kanë kaluar mbi 100 mijë persona më shumë krahasuar me vitin 2019. Këtë gjë e deklaroi Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj, i cili ka parë nga afër zbatimin e masave lehtësuese të marra nga Policia Kufitare e Rinasit.

“Vetëm në Komisariatin e Rinasit, nga data 1 korrik deri sot, ka një rritje prej 100 mijë personash. Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar. Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme”.

Merkaj ka biseduar me drejtuesit dhe punonjësit e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, për përballimin me sukses të fluksit shumë të madh në hyrje të turistëve dhe shtetasve të ndryshëm që kanë zgjedhur vendin tonë për pushime si dhe për goditjen e paligjshmërisë. Përgjatë sezonit turistik, sipas tij nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas janë kapur 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe janë proceduar gjithsej 40 shtetas, 11 prej tyre për falsifikim dokumentesh.

Klan News