Përfaqësuesi i UN Woman në Shqipëri, Ribotta: Vajzat 18-24 vjeç, 4 herë më të ekspozuara nga kjo lloj dhune

Veç dhunës ndaj grave në familje, apo në ambiente të tjera, është shtuar edhe dhuna me bazë gjinore nëpërmjet teknologjisë.

Me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, UN Woman prezantojë studimin: Ana e errët e digjitalizimit: dhuna ndaj grave përmes teknologjisë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, ku pjesë e studimit ishin 12 shtete mes tyre dhe Shqipëria.

“Ndryshimet teknologjike kanë ndikuar në rritjen e mundësive për zhvillimin e grave, por në një shoqëri ku diskriminimi me bazë gjinor është i përhapur, platformat digjitale kthehen në një vend tjetër ku zhvillohet dhe dhuna ndaj grave. Nga ky studim doli në pah se 1 në 2 gra ka përjetuar një lloj forme dhunë nëpërmjet teknologjisë, siç janë gjuha seksiste, thyerja e privatësisë, shantazhet online si dhe përmbajtja ofenduese.”

Gjatë intervistës për Klan News përfaqësuesi i UN Woman për shqipërinë Michele Ribotta tha se qëllimi i dhunës është për të denigurar, dhe për t’i mbajtur nën kontroll gratë dhe për tu kufizuar liritë, ndërkohë që më të rrezikuara nga dhuna në rrjetet sociale janë vajzat e reja.

Një nga gjetjet e studimit është se gratë e moshës 18-24 vjeç janë 4-herë më të ekspozuara nga dhunë në rrjetet sociale apo platformat digjitale online. Ndaj është shumë e rëndësishme që ne duhet të punojnë më shumë për edukimin e të rinjve që ata t’i dinë këto rreziqe dhe të dinë dhe si t’i adresojnë ato.”

Sipas studimit, në Shqipëri Instagrami u identifikua si media sociale ku ushtrohet më së shumti kjo lloj dhune.

“Mes shteteve që morën pjesë në këtë studim, më të rrezikuara nga teknologjia dolën gratë në Ukrainë dhe Turqi. Ndërsa në vendet e Ballkanit perëndimor Shqipëria rezulton një ndër vendet me incidencën më të ulët të rrezikut të dhunës së grave në platformat digjitale, nga 50% që ishte mesatarja e rajonit, Shqipëria doli me një një incidencë prej 40%.”

Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave sipas Ribottës kërkon një bashkëpunim mes të gjithë aktorëve, por kryesorja është fuqizimi ekonomik i gruas.

“Për çdo lloj dhunë, por sidomos për dhunën përmes teknologjisë, duhet më shumë koordinim mes aktorëve dhe sidomos nga eskpertët e krimit kibernetik. Në shumë vende, përfshi dhe Shqipërinë mungon ana ligjore për këtë lloj dhune. Dhe padiskutim edukimi është një nga shtyllat kryesore të parandalimit, sidmos edukimi i djemve.”

Ndryshe nga dhuna offline që në pjesën më të madhe ndodh nga të njohur dhe të afërm të grave, ky studim tregon se mbi 50% e dhunës ndaj grave përmes teknologjisë kryhet nga persona të panjohur.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë këtij viti janë lëshuar 2,373 urdhra mbrojtjeje për gratë dhe vajzat.

Klan News