Një lagje e qytetit Osaka në Japoni, është transformuar në arenën e “Osaka Cosplay Street Festival”, eventi ku gjithkush mund të realizojë ëndrrën për të interpretuar apo ngjarë me personazhin e tij të preferuar, imagjinar apo real.

Si çdo 13 Mars, një lagje e qytetit Osaka në Japoni, është transformuar në arenën e “Osaka Cosplay Street Festival”. Cosplay është një term japonez që përfshin fjalët angleze “kostum” dhe “lojë” , një lloj veshje e krijuar për të personifikuar një karakter të caktuar.

Ky term nisi të përdorej në Japoni në vitet 70, kohë kur grupe të rinjsh maskoheshin për të dale pastaj në rruge duke imituar idhujt e tyre. Rruga Den Den Town është e njohur si vendi ku tregtohen software, filma, libra, video game, kostume e shumë të tjera, prandaj nuk është çudi pse në vitin 2005 u zgjodh si vendi i duhur për të zhvilluar festivalin.

Festivali i Osaka-s është një mundësi e shkëlqyer që gjithkush mund të realizojë ëndrrën për të interpretuar apo ngjarë me personazhin e tij të preferuar, imagjinar apo dhe real, prej filmave, librave, komedive, serialeve televizive, videogame, reklamave etj Aktualisht “Fenomeni Cosplay” është përhapur në mjaftë qytete të Japonisë dhe jo vetëm.

Ky festival i madh dhe i mrekullueshëm po rritet në popullaritet çdo vit, duke treguar afinitet për nënkulturën, e cila po bëhet gjithnjë e më e përhapur. Çdo pjesëmarrësi në festival i akordohet një shumë prej 20 dollarësh për të lehtësuar sado pak shpenzimet e bëra për eventin.

Klan Plus