Nga Berati në Korenë e Jugut, kjo është historia e të riut Enrik Agalliut, të riut që nuk e kishte imagjinuar të ardhmen e tij në një vend kaq larg nga Shqipëria. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Agalliu ka treguar si mori vendimin për të shkuar drejt Koresë së Jugut.

Enrik Agalliu, Koreja e Jugut: Origjina e largët është nga Vlora, më pas stërgjyshi u transferua në Berat. Unë jam lindur dhe rritur në Berat. Nuk e kisha fare në mendje që të vija në Kore, ka qenë ëndërr e vjetër duke qenë se studioja elektronikë, por nuk e kisha fare në mendje, isha më tepër për rrymat perëndimore. Një ditë të bukur, një shok më merr në telefon dhe më thotë që do të propozoj diçka që e di se do të pëlqejë dhe më thotë që të takohemi tek 21 Dhjetori dhe më thotë se është një bursë për Kore. I thashë që do ta kem parasysh, por të shoh. Filloi me procedurat. Nuk mendoja se do të fitoja. Sapo kisha mbaruar Bachelorin, kisha një punë modeste dhe duke bërë atë dhe duke punuar, të dalë ku të dalë. Kur më kanë njoftuar që fitova bursën, edhe komshinjtë duhet të jenë alarmuar, por më bëri të lumtur.  

Agalli thotë se në Seul ka kuptuar se çfarë do të thotë teoria e relativitetit.

Enrik Agalliu: Në Seul fillon të kuptosh se çfarë do të thotë teoria e relativitetit. Nëse në Berat dita të duket ditë, në Seul dita të duket një orë dhe orvajtjet lart e poshtë dhe kur e sheh që ka vajtur ora 1 e natës.

Si shumë shqiptarë që kanë emigruar jashtë vendit, edhe Agalliut i mungon familja dhe miqtë, ndërsa veçon bahçen e tij, të cilës ja ndjen shumë mungesën duke e lidhur dhe me kujtimet e tij me njerëzit më të dashur./tvklan.al