Hungarezët e grupit bankar “OTP” dhe 7 aksionerë shqiptarë janë në garë për blerjen e “Societe Generale Albania”.

“OTP” deklaroi në muajin Gusht ambicien e saj për tu zgjeruar në tregun e Ballkanit, fillimisht për blerjen e degëve të “Societe Generale” në Shqipëri dhe Bullgari, e më pas në marrjen e bankave të këtij grupi në Malin e Zi, Maqedoni dhe Serbi.

Ajo ofroi 32.5 milion euro për të blerë asetet e “Societe Generale” në Shqipëri, ndërsa mësohet se edhe aksionerët shqiptare të Societe, që zotërojnë 11 % të aksioneve, kanë bërë të njëjtën ofertë, por në bazë të statutit të bankës, atyre u lind e drejta e parablerjes.

Banka shpalli në faqen zyrtare shitjen e të gjitha aksioneve të saj te grupi “OTP”, ndërsa deklaroi se gjatë muajve të ardhshëm të dy grupet do të punonin për marrjen e autorizimit nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Tashmë është banka qendrore që duhet të vendosë se kush do të jetë pronari i ri i “Societe Generale”.

Kjo është banka e katërt me kapital të Bashkimit Europian që po largohet nga tregu shqiptar, në bazë të strategjisë së tyre për daljen nga tregu në vendet që nuk janë tre të parat.

“Societe Generale” ka 6% të depozitave të shqiptarëve, 9% të stokut të kredive në vend dhe 426 punonjës.

Banka franceze “Societe” hyri ne tregun shqiptar në vitin 2007 përmes blerjes të 88.8% të aksioneve të Bankës Popullore.

Tv Klan