Atentat në mes të ditës në Shkodër

Foto nga vendngjarja

Atentat në mes të ditës në Shkodër

15:45 14/11/2018

Një tjetër vrasje mafioze trondit Shkodrën. Persona të maskuar ekzekutuan në mes të qytetit një 40-vjeçar dhe plagosën një tjetër pak para mesditës së të martës. Ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të populluar në tregun e lagjes Rus, ku dy persona që lëviznin me motor qëlluan për vdekje Fatos Ferracakun që shihni në këtë foto dhe plagosën kunatin e tij Fatmir Mehaj.

Pak minuta pas ngjarjes në lagjen “Guerrile” u gjet i djegur nga policia edhe ky motor që dyshohet se u përdor nga atentatorët. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se një nga autorët fillimisht qëlloi nga distanca dhe më pas zbriti nga motori dhe qëlloi Ferracakun në kokë, ndërsa 49-vjeçari Fatmir Mehaj që ndërhyri mori një plumb në këmbë. Sipas policisë, Ferracaku u qëllua me 8 plumba pistolete teksa po tregtonte peshk. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.

Viktima është i afërm me biznesmenin Arjan Ferracaku i ekzekutuar në 1 Shtator të këtij viti duke kalëruar në zonën e Dobraçit. Burimet nga grupi hetimor thonë se po hetohet për lidhjen këtyre 2 ngjarjeve me njëra-tjetrën. Dyshohet se 40-vjeçari i vrarë këtë të martë kishte dijeni për rrethanat dhe autorët e eliminimit të afërmit të tij. Viktima ishte babai i katër fëmijëve dhe njihej si person jo problematik për policinë. Madje ai jetonte në kushte të vështira ekonomike.

Forca të shumta të policisë u angazhuan në kapjen e autorëve duke ngritur pika kontrollin në hyrje dhe daljet e qytetit, por pa rezultat. Për vrasjen u shoqëruan në polici disa persona që dyshohet se kanë parë lëvizjet e autorëve dhe mund të japin të dhëna të vlefshme për identitetin e tyre.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT