Arsimi i detyrueshëm në Francë do të nisë që në moshën 3 vjeçare. Këtë e ka njoftuar vetë Presidenti Emmanuel Macron. Franca do të ketë moshën më të ulët të fillimit të shkollës në Europë. Por ky vendim prek vetëm 2.4% të fëmijëve që ende nuk kanë filluar shkollën, pasi në Francë shumica e prindërve i fusin në shkollë që 3 vjeç.

Në një deklaratë të Presidencës theksohet se kjo masë ka për qëllim të eliminojë pabarazinë në arsimimin e fëmijëve, pasi për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, kryesisht në fshatra, prindërit nuk kanë mundësi të dërgojnë fëmijët në shkolla që në moshën 3 vjeç. Kështu, në Paris 93% e 3 vjeçarëve regjistrohen në shkollë, por shifra është shumë më e ulët në disa territore të varfra.  

Bashkë me vendimin Presidenti Macron ka publikuar një listë të përfitimeve që kanë të vegjlit duke nisur shkollën kaq herët si: të miqësohen me bashkëmoshatarë, të luajnë, të mësojnë të flasin, të vizatojnë apo pikturojnë.

Rregullorja e re do të fillojë në Shtator të vitit 2019 dhe do të merren disa masa paraprake për zbatimin e tij në të gjithë vendin. Mosha e fillimit të shkollës ka shkaktuar gjithmonë debate. Megjithatë në Finlandë, që është cilësuar si shteti me sistemin arsimor më të mirë, fëmijët e fillojnë shkollën në moshën 7 vjeç.

Klan Plus