Specialistja e ISHP tregon grafikun e vaksinimit

Dozat e para të vaksinës së COVAX që pritet të mbërrijnë në Shkurt, do të përdoren për vaksinimin e mjekëve të linjës së parë por edhe të moshuarit. Ekspertët kanë përgatitur tashmë një grafik për mënyrën si do të procedojnë.

“Në planifikimin e parë janë mjekët e linjës së parë, mjekët e spitaleve rajonale, pneumologë por do të kemi dhe vaksinime paralele, përveç këtyre ne do fusim dhe vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e të moshuarve”.

Me 1200 dozat e para të vaksinës Pfizer, që shteti shqiptar i mori dhuratë, po vijon vaksinimi i mjekëve të spitaleve Covid. Edhe pse jo një rregull i shkruar, ata që e kanë kaluar covidin, ju a kanë lënë radhën kolegëve që s’kanë rënë ende në kontakt me virusin.

“Sugjerimi është që të vaksinohen dhe nëse e kanë kaluar Covid, gjithsesi listat paraprake përgatiten në spital, dhe nëse e kanë kaluar rishtas mund t’ju a lënë radhën të tjerëve po normalisht janë paraqitur mjekë, infermier që e kanë kaluar shumë herët”.

Deri më tani janë vaksinuar mbi 500 mjekë, infermierë dhe epidemiologë të rajonit të Tiranës. Sipas ekspertëve deri më tani nuk është raportuar asnjë efekt anësor.

Tv Klan