Tomini: Situata e qëndrueshme me infektimet dhe në spitale

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me Omicron. Zv/ ministrja e shëndetësisë, Eugena Tomini thotë se analizat që kryhen në ISHP mund të evidentojë raste të dyshuara të cilat më pas dërgohen në laboratorët e referencës.

“Nuk kemi asnjë rast të dyshuar apo të konfirmuar për Omicron, ISHP në bazë të mostrave të testuara me anë të PCR, çdo mostër e dyshuar e bën gati në pako dhe dërgon mostra sistematikisht. Është një procedurë standarde, ndërkohe që PCR identifikon sinjale dyshuese, dhe në rastin e një sinjali dyshues, mostra veçohet nga ato të tjerat, dhe më pas në një pako të sigurisë dërgohet në laboratorët e referencës sipas të gjitha kritereve”.

Për sa i përket pandemisë, Tomini thotë se tashmë prej më shumë se 4 javësh Shqipëria paraqet një situatë të qëndrueshme të Covid.

“Për më shumë se 4 javët e fundit kemi situatë të qëndrueshme pavarësisht luhatjeve ditore të rasteve pozitive.  Kjo situatë prej 4 javësh po monitorohet dhe është një situatë e kontrolluar qoftë në rastet pozitive por edhe atyre që kërkojnë trajtim spitalor. Kjo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me gjurmimin e rasteve dhe ndjekjen e kontakteve, por një situatë  e qëndrueshme me 10-20 raste, 150-160 raste në ditë janë edhe të hospitalizuara”.

Për të patur këtë situatë të qëndrueshme në një kohë kur në vend po qarkullojnë virusi i gripit dhe Covid, ekspertët rekomandojnë vaksinimin e plotë me dy doza si dhe rritjen e mbulesës vaksinale në popullatë.

Tv Klan