Në Shqipëri do mbërrijnë çdo javë vaksina anti-Covid



Në Shqipëri do mbërrijnë çdo javë vaksina anti-Covid

15:40 07/05/2021

Manastirliu: Do zgjerohet fasha e të vaksinuarve

Çdo javë në Shqipëri do të vijnë doza vaksinash anti-Covid. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se me mbërritjen e dozave të tjera do të zgjerohet edhe fasha e të vaksinuarve.

“Pak ditë më parë kanë mbërritur në Shqipëri 11,700 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës sonë me kompaninë Pfizer dhe sasia e parë e dozave që vijnë në kuadër të mbështetjes së instrumentit të Bashkimit Europian. Ndërkohë që çdo javë pritet lëvrimi i mëtejshëm i kontratave të lidhura, duke siguruar dozat e dyta por edhe duke zgjeruar fashat, sipas grupeve të riskut”.

Për t’i paraprirë një sezoni turistik të sigurtë, në Shqipëri brenda muajit Maj do të përmbyllet vaksinimi i stafeve të operatorëve turistikë.

“Ne jemi duke bërë gjithçka që kemi në dorë për t’i paraprirë një sezoni turistik krejt ndryshe nga ai i vitit të shkuar, me më shumë lehtësi. Ndaj do të përmbyllim brenda muajit maj vaksinimin e plotë të stafeve të operatorëve turistik, për një sezon turistik përtej pandemisë”.

Nga Kuvendi, Ministrja e Shëndetësisë garantoi për efektshmërinë e vaksinave që po përdoren në Shqipëri. Prej fillimit të vaksinimit në vend janë kryer mbi 500 mijë vaksinime kundër Covid, prej të cilave 450 mijë janë për personat mbi 60 vjeç.

Tv Klan







Të ngjashme