Me origjinë nga Kalivaçi i Tepelenës, e lindur në Fier, e rritur dhe e shkolluar në Tiranë ndërsa sot jeton në Londër ku ka gjetur veten. Xhulia Dosti ka bërë çdo përpjekje për të qëndruar në Shqipëri  por vendin që i takon e ka marrë në një shtet tjetër.

Në historinë që ajo ndan me “Opinion”, ajo fitoi masterin në Zvicër për Fizikë Biomjekësore dhe në 2017 u kthye në Shqipëri ku bënte tre punë. Kjo nuk i mjaftonte për të arritur ëndrrat dhe qëllimet e saj që të ndihej po aq e përgatitur sa kolegët europianë.

Pavarësisht se bëri disa biseda për të gjetur një alternativë në atdhe, Xhulia u detyrua të largohej edhe pse është e para fizikante mjekësore e shkolluar në Shqipëri. Sot ajo jeton 40 minuta larg Londrës ku ka gjetur të gjithë vlerësimin e munguar.

Xhulia Dosti: Pa mbaruar masterin e nivelit të dytë, mua më kërkuan në Angli. Pata një bisedë përsëri sepse unë nuk hiqja dorë lehtë, nuk jam njeri që heq dorë, me Shqipërinë, me institucionarët e asaj kohe. Të gjitha gjërat ishin po ti hajde se do ta shohim dhe e kuptova, po bëhem shumë e bezdisshme thashë. Pa e mbyllur masterin, unë në shtator kam ardhur në Angli. Fillova punë si kërkuese shkencore në një universitet dhe e mbylla masterin online sepse kisha vetëm temën. Pas 10 muajsh mua m’u ofrua një punë në spital ku aktualisht punoj si fizikante mjekësore. Dua të theksoj që në masterin në Itali ishte një shkollë internacionale, u diplomova si ekselente dhe mbajta normalisht edhe fjalimin. Dua ta them këtë gjë se isha e para shqiptare në atë shkollë. Atyre u bënte përshtypje, natyrisht ne Italia na njeh, por jo tëna njihte në atë kuadrin që të dilja ekselente mes shumë shteteve të tjera, mos gaboj 17 shteteve të tjera. Kam filluar, ndihem e vlerësuar këtu ku jam, kjo gjë është ajo që më mungonte shumë. Nga ana ekonomike isha më mirë në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Ishe më mirë nga ana ekonomike në Shqipëri?

Xhulia Dosti: Isha e trepunësuar, bëja goxha punë me këto spitalet private por nga ana e arritjeve të mia, e qëllimeve isha me një sy mes shumë njerëzve që kishin probleme dhe unë prandaj vendosa të iki,  kjo është arsyeja pse jam këtu.

Blendi Fevziu: Nëse do ta hiqje profesionin që është një nga shtysat kryesore, nëse do vije në balancë ose do krahasoje jetën në Shqipëri me jetën që bën tani, ku jetoje më mirë?

Xhulia Dosti: Nuk kam stres këtu, Blendi.

Blendi Fevziu: Shqipëria është stresuese ë?

Xhulia Dosti: Kisha goxha stres, duhet të merresha me gjëra mediokre. Një njeri që punon në shkencë nuk ka nevojë të merret me ujëra. Nuk kisha nevojë të merresha me ujëra, kjo gjë mua më stoponte në atë çfarë unë doja të arrija. Ne punojmë me të sëmurët me kancer, jemi një interdisiplinë mes fizikës,  mes biologjisë dhe kjo gjë na bënte, unë nuk e gjeta dot, e gjeta veten por nuk e kisha të lehtë nga ana e stresit. Tani jam goxha, e përballoj në mënyrë… Ka dinjitet këtu. Nuk para dëgjohet që në një vend të huaj të marrësh një karrige, por jam në një tavolinë të rrumbullakët dhe jam ulur aty, mes atyre./tvklan.al