Ekspertët: Ligji e lejon, duhen aktet nënligjore

Në Shqipëri, si në shumë vende ka nisur prodhimi i monedhave virtuale, të orientuara më shumë në platformën e Bitcoins.

Dhjetëra biznese me veprimtari në këtë fushë kanë regjistruar aktivitetin e tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe kanë si fushë operimin në veprimtarinë e kriptomonedhave.

Shumë biznese kanë nisur prodhimin e Bitcoin. Monitori pas meje është vetëm 1 prej shumë kompjuterëve të kësaj ndërmarrje që po prodhon monedha virtuale.

Në maj të vitit të shkuar Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” i cili i hapi rrugë zhvillimit të tregut të monedhave virtuale në Shqipëri, me qëllim thithjen e investitorëve të huaj, duke u bërë një nga vendet e pakta në rajon që e bën të ligjshme këtë teknologji.

Por edhe pse ligji e lejon, ekspertët e ekonomisë thonë se tashmë është e nevojshme që të plotësohen edhe aktet nënligjore në mënyrë që tregu të licencohet dhe ky aktivitet të ketë mundësi të monitorohet.

“Ligji duhet që të bëhet i zbatueshëm në mënyrë që tregu të njihet nga autoritet dhe të kontrollohet. Kjo duhet bërë sepse është realitet tashmë në Shqipëri që shumë kompani po prodhojnë monedhat virtuale”, thotë Gent Beqiri, ekspert ekonomie.

Gent Beqiri sqaron se licencimi është i nevojshëm për dy aspekte: taksimin e ndërmarrjeve dhe rrezikun e pastrimit të parave.

“Ndërmarrjet duhet të regjistrohen dhe të pagujanë taksa, ndërsa kjo teknologji në momentin që nuk monitorohet mund të bëhet e rrezikshme në fushën e pastrimit të parave“, shton Beqiri.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, autoritetet përgjegjëse thanë se po punohet për hartimin e akteve nënligjore që e bëjnë ligjin të zbatueshëm dhe pritet që ato të miratohen së shpejti nga Këshilli i Ministrave.

Për herë të parë kjo lloj teknologjie bën të mundur shkëmbimet e pagesave mes dy subjektesh pa patur nevojë për një ndërmjetës të tretë që jep garanci.

Në thelb të këtyre monedhave qëndrojnë kode kompjuterike të kriptuara në mënyrë të sigurtë të cilat bëjnë kalimin e informacionit nga një platformë kompjuterike te tjetra. Franca, Malta dhe Lihteshtejni janë tre vendet e para europiane që kanë miratuar ligjin për kriptomoendhat.

Tv Klan