ISHP: Jemi në gjendje të identifikojmë çdo variant

Shqipëria nuk ka izoluar ende asnjë rast të infektuar me variantin Delta të Covid-19 të zbuluar për herë të parë në Indi. Edhe pse aktualisht ky variant rezulton 2,5 herë më i transmetueshëm  dhe  po përhapet me shpejtësi në disa vende europiane, analizat laboratorike konfirmojnë se ne kemi vetëm prezencë të variantit britanik.

“Ato raste pozitive të pakta që janë, janë raste të variantit britanik, deri më tani nuk kemi dyshime laboratorike të virusit Delta”.

Epidemiologët kanë hedhur disa here dyshime për prezencën e variantit indian, por të bazuara vetëm në historitë e udhëtimit , megjithatë analizat e kryera nga laboratori i ISHP kanë rezultuar negative.

“Metodologjitë që përcaktojnë dhe identifikimin e varianteve kanë krijuar alternativat e tyre veç sekuencimit dhe ne jemi pjesë e këtyre alternativave të reja që bëjnë të mundur zbulimin e shpejtë të varianteve të reja”.

Në rastet kur analizat laboratorike hedhin dyshime për praninë e variantit Delta, ato dërgohen për konfirmim përfundimtar në laboratorët e referencës, por Instituti i Shëndetit Publik nuk ka izoluar ende asnjë rast për të kërkuar më tej konfirmimin.

Tv Klan