Familja Hasanaj prej mengjesit të sotëm ka hapur dyert e mortit. Vajza e familjes Hasanaj, nëntetare Zarife Hasanaj ka humbur jetën gjatë një misioni në Letoni për çaktivizimin e municioneve luftarake.

32-vjeçarja është nga Tropoja dhe prej 1998-ës jetonte me prindërit në Babrru të Tiranës. Nëna dhe motra ishin të parat që morën lajmin e vdekjes së Zarifes, pasi i ati dhe vëllai i 32-vjeçares ishin për një varrim në Tropojë. Në rrugën që të çon pranë banesës, qëndrojnë forca ushtarake.

Familjarët  kanë kërkuar që në këto momente të vështira mediat të qëndrojnë larg. Të vetmit që kalojnë rrugicën për të shkuar në shtëpinë e familjes Hasanaj janë të afërm dhe miq të familjes.

Nëntetarja Zarife Hasanaj ishte bërë pjesë e Forcava të Armatosura në vitin 2008. Më pas 32-vjeçarja ishte përfshirë në batalionin e pastrimit të zonave të infektuara nga municione të paplasura në Letoni. Hasanaj ishte nisur në Dhjetor së bashku me kontigjentin dhe misioni i tyre mbyllej pas një muaji. Në Tiranë banonin edhe dy ushtarakët e plagosur në Letoni, komandanti i kontigjentit Klodian Tanushi me origjinë nga Dibra dhe rreshter Julian Kapaj i lindur në Berat.

Tv Klan