Arrestimet e bëra në Krujë për të dyshuarit e grabitjes së parave të Rinasit, kanë sjellë heshtje në qytet.  Ndonëse është temë e ditës, ngjarja diskutohet vetëm në tavolinat e kafeneve. Përpara kamerës të gjithë zgjedhin të mos komentojnë.  Kjo është lagjja e qytetit të Krujës ku banon Elton Pikli, i arrestuar një natë më parë. Ndërsa në këtë dyqan mishi ai punonte çdo dite. Kjo ka bërë që pakkush ta besojë se ai është një nga grabitësit e miliona eurove. Babai, motra dhe nipi nuk bëjnë asnjë koment, por përsërisin jashtë kamerës se djali i tyre nuk është i përfshirë në këtë vepër kriminale. Ndërkaq fqinjët nuk i kursejnë fjalët e mira.

Por vetëm tani shumë prej banorëve të Krujës kujtojnë se pas grabitjes Pikli kishte patur sjelle jo normale. Që të nesërmen ai ishte shfaqur në kafenetë e qytetit, por nuk ishte aspak i qetë. Madje ata kanë mësuar edhe se ai është zbuluar nga një mesazh që kishte dërguar se po përgatitej të ikte nga Shqipëria, gjë që tregon se telefoni i tij ka qenë nën përgjim.

Ngjitur me dyqanin e mishit ku punonte Pikli ndodhet edhe piceria “Kupa, Hallall”, që manaxhonin vëllezërit Veseli, njëri prej të cilëve i arrestuar nën akuzën e përfshirjes drejtpërdrejt në grabitjen e 9 Prillit, Oltjon Veseli. Piceria është në pronësi të kushëririt të tyre, Dashamir Kupa, edhe ky në burg për grabitje bankash, si pjesë e bandës së famshme të Ilir Kupës.

Ndërkohë, më parë Veseli ka qenë në Jemen, ku është stërvitur nga xhihadistët dhe ka luftuar në Afganistan përkrah talebanëve, deri në vitin 2010, kur është kapur nga forcat aleate dhe riatdhesuar. Nofka e tij “Imami”, nuk lidhet shumë me besimin fetar dhe historinë me talebanët, por edhe me faktin se ai shërbente, duke kryer ritet fetare gjatë ceremonive mortore të besimtarëve myslimanë në lagjen e tij. Kushërinj dhe të njohur mes tyre, të gjithë kanë një të përbashkët, janë besimtare të fesë islame dhe këtë e demonstronin edhe në sjelljet e tyre publike, gjë e cila ka shërbyer edhe në krijimin e një imazhi pozitiv në komunitet.

Edhe në familjen e tij, kamerat nuk janë të mirëpritura. I ati nuk kursehet madje as në akuza ndaj gazetarëve, që sipas tij kanë keqpërdorur në studio televizive informacionet dhe kanë denigruar imazhin e të birit që tashmë ndodhet nën arrest.

Klan Plus