Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me fermerët e Elbasanit, nga ku dhe foli për programin qeverisës e forcës së tij politike dhe koalicionit së drejtuar prej tij, “Shqipëria Madhështore”.

Berisha u shpreh se qeveria aktuale ka ndjekur politika shkatërrimtare për fermerët, ndaj dhe tokat e tyre nuk mund të pasurohen në prodhime e të kenë të ardhura të larta. Kryedemokrati krahasoi fermerët shqiptarë me ata të shteteve fqinj dhe tha se se ky sektor është “i braktisur” nga qeveria aktuale.

“Në 12 vite fermat tuaja, prodhimet tuaja, mundi juaj, ka njohur vështirësi të mëdha, humbje të ndjeshme, rrokullisje serioze. Sot, po të shkojmë në dyqanet e Elbasanit, të Tiranës dhe kudo, 80% të produkteve prodhohen në Shumadi, në Banat, prodhohen jashtë Shqipërisë. Sot, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, që është një sektor bazë, në të cilin punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë, është një sektor për të mos thënë krejtësisht, por pothuajse krejtësisht i braktisur nga kjo qeveri. Ky sektor i jep vendit 90% të prodhimit të brendshëm. Ky sektor financohet vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm. Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Serbisë, ose të Malit të Zi. Jo, ju jeni shumë punëtorë dhe sigurisht, ju doni që fermat tuaja, serat tuaja, stallat tuaja, të ecin përpara, t’u begatojnë, të pasurohen. Por, kjo nuk ndodh sepse me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare.

Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 deri 8 herë më shumë se ju. Pra, nëse ju merrni 100 euro subvencion, fermeri në Maqedoni merr 500 euro subvencion, fermeri në Kosovë merr 400 euro subvencion, fermeri në Serbi merr 700 ose 800 euro subvencion. Ky është realiteti. Kjo është e vërteta!

Çfarë ndodh? Ndodh që ju nuk konkurroni dot në tregje, sepse ai e ka të subvencionuar çmimin, dhe fëmijët tuaj largohen përtë ndërtuar ëndrrën e tyre, jo në Elbasan, jo në Shqipëri, po për ta ndërtuar në Itali, Greqi, dhe në vende tjera. Unë, do t’u dërgoj atyre një përshëndetje shumë të përzemërt dhe një nderim shumë të madh. Ata janë bërë individë të shquar, biznesmenë të shquar, dhe janë atdhetarë të flaktë aty ku janë.

Njëri prej tyre është, Eduart Çekrezi, të cilin unë pata fatin ta njoh fort këto kohët e fundit. Por, edhe shumë e shumë të tjerë. Ata, këtë vit votojnë për herë të parë dhe ata do t’i japin vendit të tyre mbështetje historike me votën e tyre. Së bashku me ju, do ta ndajnë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.

Përveç kësaj, pra përveç subvencioneve që i keni 4 herë më të ulëta se Kosova, 5 herë më të ulëta se Maqedonia, 7 ose 8 herë më të ulëta se Serbia, dhe prisni. Kjo është aktuale. Po, po të marrësh investimet që ata kanë bërë në tokë përpara, del të paktën 1 me 10. Kosova sot, dhe jo vetëm Kosova, por Maqedonia, Serbia, kanë një nga sistemet vaditëse më bashkëkohore, dhe e trashëguan atë nga Jugosllavia, kurse, Shqipëria noton në ujë, dhe uji për fermat nuk sigurohet. Pra, ka një pabarazi shumë të madhe.

Ndërkohë, shqiptarët janë njerëz shumë punëtorë, të zotë, toka është e klasit të parë, por me tregun nuk ia dalin nuk ia dalin sepse, marrin gjithësej, 57 milionë euro ishte subvencionimi për këtë vit. Nga këto, 32 milionë shkonin tek fermeri, të tjerat i merrnin rrogëtarët e qeverisë. Kishin 130 milionë euro nga BE-ja. Edi Rama me suitën e tij, u vërsul mbi to, sikur të ishin para pa zot, dhe që ato çdo qindarkë ishin për ju, fermerët dhe ato vetëm fermerët nuk i morën. I morën Xhaçkat, me burrat, me kushërinjtë, me fisin e tyre. Dhe kur BE e diktoi, e gjeti, i ndërpreu menjëherë fondet, dhe Edi Rama, në vend se të çonte ministren e tij atje ku e meritonte, e mori këshilltare kryesore në kryeministri. Pse e mori këshilltare kryesore? E mori, sepse ata abuzimin e kishin të përbashkët. Ajo nuk kishte bërë gjë tjetër, vetëm zbatuar urdhrat abuziv të Edi Ramës, që paratë e fermerëve i merrnin oligarkët e tij, klientela e tij, dhe fermerët nuk merrnin asgjë” tha Berisha.

/tvklan.al