“Në takimin e parë me futbollistin vajta me 37 veta” (video)

“Në takimin e parë me futbollistin vajta me 37 veta” (video)

14:39 07/10/2018

Dorina është personazhi i dytë në programin "Ka një mesazh për ty" tek "E Diela Shqiptare" në Tv Klan. Dorina është e martuar me Klodianin dhe sëbashku kanë një vajzë 3 vjeç, Anabelën.

Dorina dëshiron t'i dërgojë bashkëshortit një mesazh, i cili është futbollist dhe luan për ekipin e Fushë-Krujës, Iliria.

Historia e tyre ka nisur kur Klodiani luante për ekipin e Burrelit. Në këtë qytet, Dorina ka kaluar gjysmën e jetës së saj. Kur ajo ishte në gjimnaz u njoh me Klodian Bakun.

Dorina: "

Unë jam lindur dhe rritur në qytetin e Burrelit, aty vazhdova dhe gjimnazin. Në vitin e katërt në gjimnaz Klodiani u ble nga Burreli. Unë kam shtëpinë në katin e pestë tek stadiumi dhe çdo ndeshje e shikoj nga ballkoni. Ndeshjet i shikoja me babain. Edhe për Klodianin më fliste, më thoshte ka ardhur një futbollist i mirë. Kam dëgjuar fjalë të mira. Një ditë mami më dërgon që të blej bukë, aty po kalonte një djalë dhe më tha 'lumë familja që të ka se qenke vazjë për shtëpi'. Nuk është se ia vura re dhe vazhdova. Të nesërmen shkova në shkollë normalisht. Në pushimin e gjatë një djalë më thotë që do të them diçka, unë i them që jo, sepse do të futemi për provim. Thotë dëgjo njëherë.

Dhe ai më tregon, më thotë një djalë është i interesuar për ty. Unë isha 18 vjeç, s'i kisha mbushur akoma. Unë i them boll. Pastaj kur më tha emrin... tha është Klodian Baku. Më erdhi një e qeshur. Më tha dashke? Jo jo i thashë unë, nuk dua. Edhe u futa në mësim. Klodiani vazhdon të kërkonte një takim me mua përmes një shoku të klasës. Por unë i thoja jo. Vendosa ta takoj dhe i thashë të gjithë klasës do vini të gjithë me mua. Në Burrel nuk mund ta takosh vetëm një djalë, sepse bie në sy dhe ftova gjithë klasën, diku 37 veta. Kur e takova ishte ai që e kisha imagjinuar".

Dorina na tregon se më vonë i ati i bleu një celular dhe numrin e kishte me kontratë. Kur në fund të muajit erdhi pagesa e telefonit, babai dhe tre vëllezërit mësuan gjithçka, që Dorina komunikonte me mesazhe me Dorianin. Pas kësaj, ata e shoqëronin gjithmonë në shkollë dhe nuk e linin asnjëherë vetëm. Kjo histori vazhdoi për disa muaj, derisa Dorina u zhvendos në Tiranë për të vazhduar studimet e larta.

Dorina:

"Pastaj unë u largova nga Burreli. Erdha në Tiranë se vazhdova studimet për matematikë. Gjatë muajve të verës nuk u takuam fare. Pasi fillova shkollën, ditën e tretë më erdhi në shkollë. Vazhdova me Klodin, pastaj u fejuam

".

Mirëpo, më pas ajo tregon se nuk ishte e sigurt nëse Doriani duhet të vazhdonte karrierën e tij si futbollist për shkak të të ardhurave.

Dorina:

"Çdo gjë ishte e bukur, por unë vura re se futbollistët nuk është se kishin ndonjë rrogë kush e di se çfarë, që jeta e familjes të shkonte siç duhej. Dhe unë gjatë kohës po i kërkoja që të ndërpriste futbollin, por që nuk ndodhi asnjëherë. Futbolli nuk kishte të ardhura të garantuara. U martuam pas 4 viteve fejesë, unë vazhdoja punë. Morëm shtëpi në Tiranë dhe vazhduam të jetonim në Tiranë. Unë i kërkova gjatë gjithë kohës që ta ndërpriste futbollin. Nuk ndodhi që e la futbollin. Pastaj mbeta shtatzënë. Në muajin e katërt të shtatzënisë Klodiani na bën një surprizë. Në një vend ku luante, bën një gol dhe vendos topin në bark dhe drejton gishtin te Zoti, që një engjëll po vjen në jetë. Pasi lindi Anabela, Klodiani e mori dhe e prezantoi në fushën e lojës"

.

Pasi ka bërë disa përpjekje që Klodiani të heqë dorë nga pasioni i tij dhe të ndërpresë futbollin, Dorina sot do t'i dërgojë bashkëshortit një mesazh dhe t'i kërkojë falje. Drejtuesi i programit Ardit Gjebrea shkon për të takuar Klodianin dhe i jep mesazhin.

Dorina: "

Jam për të të mbështetur. Ne kemi 11 vite bashkë dhe gjatë këtyre 11 viteve nuk të kam mbështetur aq sa duhet për futbollin. Ti ke 20 vite tashmë që luan futboll dhe unë kam dashur që ëndrrën tënde ta ndërpres. Në fakt kam ndërhyrë edhe në familje edhe në shoqëri, të kam vënë dhe ty në disa situata shumë të sikletshme dhe dua të të kërkoj shumë falje. Unë dhe Anabela jemi tifozet e tua më të mira. Ti je kampioni ynë, të duam shumë".

Klodiani:

"Ky është vërtetë një mesazh shumë i bukur, që vërtetë unë kur u dëmtova tani pata një ndjesi që t'i duhet ta lësh futbollin se nuk është më, por gjithsesi e falenderoj shumë. Unë nuk e lë sportin deri sa të më lenë gjunjët".

Dhe me një surprizë të bukur, ku në fushën e stërvitjes vajza Anabela dhe bashkëshortja Dorina shkojnë për të takuar Dorianin, mbyllet dhe pjesa e dytë e programit "Ka një mesazh për ty".

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT