Shoku më i mirë i Marios është vëllai i madh, Ervisi. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai përshkruan sakrificat e vëllait që ishte vetëm 13 vjeç kur emigroi për herë të parë në Greqi, përpjekjet për mos t’u dorëzuar në asnjë rrethanë, shembullin që ka përçuar si djalë, vëlla dhe bashkëshort, të cilat e bëjnë Marion të ndihet shumë krenar për të.
Momentet e vështira kanë qenë të shumta për Ervisin, por një prej tyre shënoi një pikë kthese. Mario tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për humbjen e të atit që ndodhi gjatë kohës kur Ervisi po e dërgonte në spital. Ajo humbje i shkaktoi ankth e panik dhe sërish e kaloi gjithçka i vetëm.
“Vëllai është përballur me shumë vështirësi, por një nga momentet më të vështira të jetës, ka qenë viti 2016, në mars. Prindërit e mi vendosin të shkojnë në Itali te vëllai për pushime sepse nipi im kishte ditëlindjen. Një gjë në fakt më thoshte në zemër që ta takoj babin patjetër para se të ikte sepse unë jetoja te kompleksi “Dinamo në një zonë tjetër dhe… vendos ta takoj babin. Kur e takova ishte duke fërkuar krahun dhe thoshte ‘sikur jam ftohur një çikë o djalë.’ Nuk e di, kisha një ndjesi të çuditshme sikur nuk do ta shikoja më, Ardit. Ka qenë një moment shumë, shumë i vështirë. Pasi shkuan atje, babi nuk u ndje mirë, kishte vajtur në një farmaci, kishte marrë një ilaç, pastaj një mbrëmje i thotë vëllait ‘dëgjo or djalë, më duket se do ta prish atë ditëlindjen e djalit, nuk do të kem mundësi të jem se nuk po mbushem dot me frymë’. Vëllai im që është gjithmonë i gatshëm për çdo njeri, jo më për prindërit e vet, i thotë ‘hajde dhe ikim në spital’. E merr në makinë dhe ishin këta të dy sepse menduam që do të ishte një shoqërim normal, do të bëhej një vizitë normale dhe kaq. Në fakt, ai ka qenë me një shpejtësi të madhe se kishte urgjencë normalisht, po e çonte në spital dhe babi pëson infarkt dhe i varet nga pjesa e timonit vëllait. Ka qenë periudhë shumë e vështirë, ishte i vetëm dhe duhet ta përballonte këtë moment i vetëm. Pasi u thirr ambulanca, babi nuk shpëtoi, ai humbi jetën aty. Kjo ka qenë edhe një traumë shumë e madhe në jetën e tij sepse ai për 3 vite është përballur me panik e ankth dhe duke qenë se mentaliteti i njerëzve ‘nuk mund të kemi ne burra të dobët, nuk mund të shfaqim dobësi’ apo qoftë edhe të shikojmë të takojmë një psikolog për ta folur situatën, për të shprehur atë që ndiejmë, atë që po kalojmë. E kaloi i vetëm. Patjetër që Rina ka qenë një mbështetje e madhe për të, por ka qenë një periudhë shumë e vështirë, një moment shumë i vështirë sepse ne kemi pritur 10 ditë derisa e kanë sjellë babin dhe në shtëpinë tonë ka pasur gjithmonë njerëz. Ky është një moment i jetës kur ti e kupton që vdekja ekziston vërtet sepse kur ndodh në vende të tjera, i vdekuri fle në shtëpinë e tjetrit thotë populli dhe nuk mund ta ndiesh dhimbjen që kalon një person tjetër nëse ti nuk e përjeton. Për 3 vite vëllai im e kaloi i vetëm këtë dhimbje shumë të madhe”, përfundon Mario./tvklan.al