Dy qytetarë, Artur Velo dhe Besmir Jeshilaj tregojnë nga burgu i Fierit, se mbahen në qeli pa faj dhe pa prova. Ata janë akuzuar dhe dënuar për trafik të lëndëve narkotike dhe tentativë vrasjeje të forcave policore. Por ata dhe familjarët dëshmojnë me prova, se nuk kanë të bëjnë me ngjarjen në fjalë, të ndodhur në Zervat të Gjirokastrës në Shtator 2014.

“Stop” bën provën e distancës nga vendi i ngjarjes e po kështu gjen vendndodhjen e personave në momentin e incidentit, me anë të antenave telefonike. Velaj dhe Jeshilaj kërkojnë vetëm drejtësi.

“Jam akuzuar në 2014-ën, 7 Shtator, për vrasje të mbetur në tentativë të punonjësit të policisë dhe trafik ndërkombëtar droge. Apeli vendosi 11 vite burg. Dikush që nuk është bërë baba nuk e ndjen atë që ndjen unë sot për fëmijën tim. Është shumë e dhimbshme që të jesh larg fëmijës, larg familjes, larg vëllait, nënës, bashkëshortes… është shumë e dhimbshme. Dhe në rastin që jemi ne, pa kryer asnjë vepër penale”, shprehet

Artur Velo.

“Prokurori i çështjes, ta zbardhë çështjen. I kam vajtur dy herë në zyrë, i kam thënë zoti prokuror zbardhe çështjen e çunit, të lutem dua vetëm drejtësi. Dy herë i kam vajtur dhe e kam kapur stilin e tij të punës. Më linte sa vinte te dera dhe më thoshte: Zotëri ke ndonjë gjë tjetër. Kthehesha e shikoja dhe ishte e pamundur, ç’mund t’i thoja gjë tjetër unë atij”,

thotë babai i Velos.

“Në fillim ne jemi akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj forcave të policisë. Tani prokuroria për mua kërkon vetëm për trafik të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë, i dënuar me 9 vjet burgim. Kam familje, kam motra vëllezër, kam fëmijë, kam dy fëmijë të vegjël. Nuk di, vetëm këtu në Shqipëri, kjo është drejtësia”,

rrëfen i dënuari tjetër Besmir Jeshilaj

.

Ndërsa nëna e këtij të fundit shprehet:

“Djali im është nisur për në Greqi, nuk është nisur për ato punë që thotë shteti. Djali s’ka bukë të hajë, ka vajtur të nxjerrë koren e bukës për fëmijët. Sa herë ka vajtur e kthenin, ça do t’i kërkoj më unë shtetit. Këtu s’kishte për t’u ushqyer, ka vajtur për koren e bukës. Në familjen tonë nuk punon asnjë, jemi 7 veta.”

Por si ka ndodhur ngjarja, marrë zyrtarisht sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda.

“7 Shtator 2014, ora 22:28 minuta: Dy punonjësit e Policisë së Shtetit, në fshatin Zervat, duke këqyrur gjithë zonën, rreth orës 21:08 minuta kanë konstatuar nëpërmjet kamerës termike praninë e 3 personave, në fshatin Bularat, që ndodhet rreth 400-500 metra nga këtu që ne po flasim (hyrja për në fshatin Zervat)”,

sqaron gazetari i “Stop”.

Menjëherë pas këtij konstatimi, forcat e policisë u janë afruar zonës ku panë tre personat. Në këto momente është dëgjuar një breshëri automatike.

Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra dhe një sasi prej 106 kilogramë kanabis.

“Në moment që unë dal matanë me Arturin, presim autobusin për të na marrë, nuk na marrin. Shiu po shtrëngonte dhe më thotë Arturi; Do kthehemi? Dhe u kthyem. Ndenjëm rreth 30 – 40 minuta dhe nisemi për t’u kthyer për në doganë”,

thotë Besmir Jeshilaj.

Prokuroria e lidh këtë ngjarje me 3 shtetasit, Artur Velo, Besmir Jeshilaj dhe Sabaudin Memajn, pasi tre personat po atë mbrëmje janë konstatuar nga Policia e Emigracionit Shqiptar duke u kthyer nga territori grek për në Pikën Doganore të Kakavijës.

Në pikën Doganore të Republikës së Shqipërisë, pa asnjë mjet identifikimi rreth orës 22:40, kanë hyrë Artur Velo dhe Besmir Jeshilaj. Ndërsa rreth orës 24:20 është paraqitur në Pikën Doganore të Republikës së Shqipërisë, Sabaudin Memaj.

Për këtë arsye, tre personat e sipërpërmendur akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë.

Cilat janë provat e Prokurorisë për Krimet e Rënda, që bien poshtë, për akuzën e Artur Velo dhe Besmir Jeshilaj?  

Në orën 22:30 u konstatuan 3 persona nga Policia e Emigracionit në fshatin Bularat.

Artur Velo dhe Besmir Jeshilaj në orën 22:40 ndodhen në pikën doganore të Kakavijës.

Dy rrugët nga fshati Bularat që të çojnë që të çojnë në Pikën Doganore të Kakavijës mund të bëhen respektivisht për 1 orë e 1 minuta nga njëra rruge dhe për 1 orë e 7 minuta nga rruga tjetër. Eksperiment i bërë ky në terren.

Gjithmonë sipas organit të akuzës, rreth 200 metra nga fshati Bularat ku u konstatuan edhe 3 persona me lëndë narkotike deri në Pikën Kufitare të Kakavijës, e kanë bërë për 10 minuta”,

thotë gazetari i “Stop”.

Ky i fundit bën edhe një eksperimentin. Teksa tregon orën 22:20 minuta, ai shkon me makinë deri në pikën e Kakavijës, për të parë për sa minuta bëhet me makinë kjo rrugë.

“Sapo arritëm në Pikën Doganore të Kakavijës. Ora në këto momente shënon 22:27 minuta. Pra 7 minuta nga fshati Bularat deri në Pikën Kufitare të Kakavijës me makinë me 70 dhe 80 km në orë. Imagjinoni në këmbë për sa mund të bëhet gjithë distanca e përshkruar”,

shprehet më tej gazetari.

Pra kjo rrugë nuk mund të bëhet për 10 minuta në këmbë, në një terren shumë të vështirë, ku vetë edhe kampioni i botës në vrap, Usain Bolt, do ta kishte zili këtë rekord të vendosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Gjatë eksperimenti që u bë nga policia ndaj 3 të ndaluarve, Besmir Jeshilajt nuk iu gjetën faktorë plotësues dhe as Sabaudin Memajt, për të bërë lidhjen e përdorimit të armëve.

Ndërsa Artur Velos…

“Mua më akuzojnë sepse prej 6 ngjitësesh më kanë marrë për barut në duar, tre këtej, tre andej nuk e di sesi sepse nuk më kujtohet. 5 prej tyre kanë qenë transparentë, ndërsa dhe tek një dyshohet se ka mbetje nitritesh dhe nitratesh”.

Por Arturi ka një alibi që rrëzon poshtë pretendimin e organit të akuzës. Ajo është dëshmia e bashkëfshatarit të Artur Velos. Ai tregon që Arturi ka punuar me troko dhe ka salduar shkallët e tij vetëm dy ditë përpara se të ndodhte kjo ngjarje.

Ai i tregon gazetarit të “Stop” punën që Velo ka bërë me shkallët e shtëpisë së tij, gjë të cilën thotë se e ka bërë edhe para organeve përkatëse.

E nga kjo dëshmi, gjurmët që i gjetën Velos në trup, mund të kenë qenë edhe si pasojë e saldimit.

Unë kam qenë një punëtor ndërtimi, punoj me çdolloj vegle. Ato ditë kam salduar… kjo ka qenë e vërteta, por prokuroria dhe gjykata thonë se unë kam gjuajtur me armë”.

Gazetari i “Stop” pyet edhe ekspertin.

A ka shanse që nëpërmjet pajisjeve të saldimit mund të krijohet dyshimi i lëndëve plotësuese siç janë nitrati dhe nitritet?

“Po, siç e thashë më lart, veç profesioneve që përmenda mund të jetë edhe trokoja, mund të jetë edhe saldimi, ngjitja me argon, mund të jenë edhe disa profesione të tjera që lenë. Por dallimi midis kësaj është tek hetimi i thelluar që bëhet midis ndarjeve, që ky faktor plotësuar ka ardhur si pasojë e barutit të djegur dhe vajrave të djegur që përbëhen nga faktorë plotësues të qitjes, apo si rezultat i këtyre profesioneve të tjera. Është eksperti kimist që do bëjë këtë ndarje, midis dallimit të profesioneve të ndryshme edhe faktorëve plotësues të ardhur nga rezultati i një qitje”.

Një tjetër provë shumë e rëndësishme nga organi i akuzës është edhe antena, e cila ndodhet në afërsi të Pikës së Kakavijës, ku në bazë të këqyrjes së qelizave telefonike, ka rezultuar se kemi një intensitet të shtuar të komunikimit midis Velo dhe Jeshilajt.

Por edhe kjo provë bie poshtë.

“Nga këqyrja e qelizave telefonike, bërë nga Prokuroria na rezulton se në orën 21:30 minuta deri në orën 22:40 minuta pozicioni i dy personave në fjalë është gjithmonë në Lindje, duke marrë si referencë antenën e vetme të celularit që ndodhen në pikën doganore të Kakavijës. Ndërsa fshati Bularat ndodhet në Perëndim, duke marrë si referencë antenën e celularit në Pikën Doganore të Kakavijës. Pra dy personat në fjalë, në orën 22:40 e 13 sekonda, ndodhen në Lindje, pra në territorin tranzit midis doganës greke dhe asaj shqiptare të Kakavijës“. 

//tvklan.al