“Në zarf kishte diplomë, jo para. Për peshkun pagoi…”, Çfarë pretendoi në gjykatë avokati i ish-zv/Ministres Voda


“Në zarf kishte diplomë, jo para. Për peshkun pagoi…”, Çfarë pretendoi në gjykatë avokati i ish-zv/Ministres Voda

12:29 15/07/2021

Gjykata le në fuqi masën arrest shtëpie për 3 të arrestuarat

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi këtë të enjte masën e arrestit në shtëpi për ish-zv/ministren e Brendshme Rovena Voda, e akuzuar nga SPAK për ndikim të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike.

Por çfarë pretendoi mbrojtja e ish-zyrtares së lartë në seancën gjyqësore?Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raportoi se avokati i ish-zv/ministres tha se në zarfin që prokuroria pretendon se ndodheshin 1 mijë euro që Voda dyshohet se mori ryshfet, ndodhej diploma e Florida Beut. Po ashtu avokati tha se arka me peshk është paguar nga klientja e tij.

Avokati i ka mëshuar faktit se pse prokuroria në momentin që ka pasur informacionin se Voda ka qenë e filmuar dhe e dokumentuar kur i është dhënë zarfi nga avokatja Majlinda dhe Florida Beu e cila ishte e interesuar për të filluar punë, avokati ka kërkuar nga SPAK t’i argumentohej fakti se përse nuk është ndërhyrë në atë moment dhe të kapej zarfi e të vërtetohej se zonja Voda kishte marrë shumën prej 1 mijë eurosh siç pretendon prokuroria. Avokati ka theksuar se në atë zarf ka qenë një diplomë dhe një dëshmi e gjuhës së huaj të Florida Beut, e cila ka kërkuar që të punësohej në Ministrinë e Brendshme dhe zonja Voda, në asnjë moment sipas avokatit nuk ka marrë asnjë shumë parash. Sa i përket arkës me peshk të cilën pretendohet që ia ka dhënë Florida Beu si dhuratë ish zv/Ministres Voda, avokati ka treguar fakte dhe prova që sipas tij, Voda ka paguar një shumë prej 30 mijë lekësh për peshkun që e ka blerë në lokalin e Beut. Vetë të pandehurat nuk kanë pranuar që të flasin, por kanë qenë dakord me mbrojtjen e tyre”.

Rovena Voda, mbërriti paraditen e kësaj të enjteje në gjykatë e shoqëruar nga forca të policisë. Ajo akuzohet se ka marrë dhuratë 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për të ndërhyrë që një e njohur e saj të hynte në administratën publike. Për të njëjtën çështje akuzohen edhe avokatja Majlinda Hasani dhe Florida Beu, për të cilat po ashtu masa e arrestit në shtëpi u la e pandryshuar. Hetimet nisën në vitin 2019 për një tjetër çështje penale dhe Voda ra në përgjime duke marrë përfitime të paligjshme./tvklan.al







Të ngjashme